Pakti për Universitetin/ Mbështetje për veprat e 13 kineastëve të rinj

TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Në kuadër të Paktit për Universitetin janë mbështetur veprat e 13 kineastëve të rinj.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ishte sot e pranishme në Universitetin e Arteve ku u shfaqën veprat e tyre.

“Për shumë prej jush sot është një ditë e veçantë, sepse do të shihni në ekranin e madh rezultatin e punës suaj. Por po kaq e veçantë është edhe për mua, pasi këto filma që do të shfaqen sot këtu, janë rezultat i një besëlidhjeje, i Paktit për Universitetin”, tha ajo.

“Jemi mbledhur shpeshherë në ambientet e Universitetit të Arteve, për të diskutuar mbi format e bashkëpunimit. Shumë nuk i besonin këtij Pakti, duke e konsideruar si një propagandë, por fakti, që sot jemi këtu, tregon se nuk është thjesht një marrëveshje në letër, as një shtrëngim duarsh për efekt kamerash, por një ndihmë konkrete: mbështetja e 13 veprave të kineastëve të rinj, duke i nxitur ata në rrugën e krijimtarisë, por edhe duke dhënë një ndihmë sado modeste në industrinë e kinematografisë”, theksoi Margariti.

“Ky realitet i ri na bëri të reflektojmë dhe të rishohim prioritetet tona, duke u fokusuar më shumë tek e ardhmja. Dhe e ardhmja janë të rinjtë. Uroj shumë që kjo periudhë të mos mbetet shenjë në jetët dhe krijimtarinë e tyre, përveçse për vepra frymëzuese”, tha ajo. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.