Majko: Shpifje kush thotë se krimet janë bërë nga UÇK-ja, do vinin në dyshim misionet e NATO-s

TIRANË, 5 nëntor /ATSH – I. Vata/Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko e ka konsideruar akuzën ndaj udhëheqësve të Kosovës dhe ish- drejtuesve të UÇK-së të tepruar dhe për më tepër do vinin në dyshim gjithë prezencën e NATO-s.

“Po të kishin qenë të vërteta këto do ishin bërë shumë dokumentarë deri tani, dhe do kishte shumë raporte nga shtetet anëtare të NATO-s që ishin në Shqipëri. Misioni i NATO-s ka gjetur krime lufte që vinin nga pala serbe. Kush thotë se krime të tilla janë bërë nga UÇK-ja, jo vetëm që janë të shpifura, po do vinin në dyshim misionet e NATO-s që ishin atëherë këtu”, tha Majko gjatë një interviste televizive.

Ai theksoi se prezenca e tyre në vendin tonë ka qenë e jashtëzakonshme. “Nuk ekziston asnjë dokument që të ketë vërtetuar ato që janë shkruar në aktakuzën e gjykatës special”, theksoi Majko, duke shtuar se, “unë jam këtu të mbroj atë që është për t’u mbrojtur. Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe pozicionin e Shqipërisë”.

“Mendoj se për këtë çështje, janë dokumente dhe ka informacioni të çdo shteti që ka qenë pjesëmarrës dhe në arkivat e NATO-s. Kjo është një tentativë për të ndryshuar elitën e politikës së Kosovës, mendoj unë”, tha Majko. /a.a/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.