Hetime të përbashkëta me policinë malazeze/Arrestohen 2 prej personave të përfshirë në tentativën për trafikimin e lëndës narkotike

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Hetimet e përbashkëta mes Policisë së Shtetit dhe policisë malazeze zbardhën tentativën për trafikimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Hani i Hotit drejt vendeve të BE-së.

Gjatë operacionit, nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, nga Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Policinë e Fierit, janë kapur dhe vënë në pranga dy prej personave të përfshirë në tentativën për trafikimin e një sasie marijuane, si dhe është shpallur në kërkim një shtetas tjetër si bashkëpunëtor.

“Si rezultat i punës së mirëorganizuar, nga ana e seksionit për hetimin e narkotikëve dhe trafiqeve në DVP Shkodër, në bashkëpunim me DVP Fier, u bë kapja dhe ndalimi për veprën penale “Trafikim i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, i shtetasve A. T., 36 vjeç dhe P. Sh., 41 vjeç, banues në Lushnjë, si dhe u shpall në kërkim një shtetas tjetër”, informoi Policia e Shtetit.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar prova të shumta që do të çojnë në dokumentimin dhe zbardhjen e plotë me prova ligjore të kësaj veprimtarie kriminale.

Po ashtu, Policia e Shtetit informon se vijon puna intensive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës dhe homologët, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.