Dorëheqja e Hashim Thaçit si president i Kosovës/ Reagimet

TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Dorëheqja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi u përcoll me reagime.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se “Hashim Thaçi ka gjithë mbështetjen e solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën dhe për drejtësinë e pacenueshme të Luftës Çlirimtare”.

“Procesi absurd ndaj tij do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj”,u shpreh Rama.

Presidenti Ilir Meta u shpreh se “vlerëson aktin e dorëheqjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u ballafaquar me akuzat dhe besoj në pafajësinë e tij e të gjithë bashkëluftëtarëve, sikundër është konfirmuar edhe në të kaluarën”.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe heroike”, tha Meta. “Ky është një moment reflektimi për të forcuar më shumë bashkëpunimin dhe unitetin, në interesin më të mirë kombëtar”, shtoi ai.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi duke thekasuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë përballë agresionit dhe krimeve kundër njerëzimit e spastrimit etnik që regjimi kriminal i Millosheviçit po kryente ndaj popullsisë së pambrojtur në Kosovë.

“Anëtarët e UÇK-së, pjesëmarrës në këtë luftë të pabarabartë, janë përballur e kanë dalë faqebardhë ndaj akuzave të ndryshme që janë ngritur ndaj tyre. Të tjerë luftëtarë po përballen sot. Jam i bindur se edhe ata, që nga presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK Kadri Veseli, ish kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e luftëtarë të tjerë të UÇK-së, do t’i faktojnë drejtësisë dhe mbarë botës se aktakuzat ndaj tyre janë të pabaza”, nënvizoi Basha.

Askush , vijoi Basha, nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë të UÇK-së për dinjitet njerëzor dhe liri, me masakrat dhe genocidin e ushtruar nga hordhitë kriminale të Millosheviçit ndaj popullsisë civile të Kosovës.

“Lufta e UÇK-së pati në krah të saj Aleancën e Atlantikut të Veriut me në krye SHBA, sepse ishte një luftë e drejtë. Shqiptarët patën në krah dhe mbrojtje të tyre të gjitha vendet demokratike të botës sepse ndaj tyre po kryeheshin krimet më çnjerëzore. Asnjë shqiptar i Kosovës nuk i është fshehur drejtësisë, por është përballur dhe ka ngadhnjyer. Jam i bindur se edhe këtë herë e vërteta do të ngadhnjejë dhe se asgjë nuk do mund të përbaltë luftën e drejtë të UÇK për liri”, tha Basha.

Ndërkohë, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka reaguar në lidhje me konfirmimin e aktakuzave nga Gjykata Speciale të Krerëve të UÇK-së.

“Asnjë gjykatë në botë nuk mund ta rishkruajë historinë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe t’i shlyejë krimet kundër njerëzimit e gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë. Pikë!” – theksoi Cakaj.

Sipas kryediplomatit, kërkesa e drejtësisë së vërtetë është e qartë, prandaj Serbia, jo Kosova, do të duhej të ballafaqohej me të kaluarën e saj kriminale dhe të dorëzonte kriminelët e luftës (të veshur edhe me kostumin e politikanëve të sotëm) para drejtësisë.

“Krimet e supozuara të luftës në Kosovë janë hetuar nga UNMIK-u, Tribunali i Hagës, EULEX-i, gjykatat vendore dhe tani, në mënyrë krejtësisht të njëanshme, edhe nga Gjykata Speciale. Kosova, ndryshe nga Serbia, deri më sot ka treguar të gjithë gatishmërinë e nevojshme për të bashkëpunuar me të gjithë mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare. Kosova s’ka asgjë për të fshehur: lufta e saj ka qenë e pastër dhe e drejtë”, shprehu bindjen Cakaj.

Më tej, Ministri i Jashtëm në detyrë Cakaj, theksoi se sjellja e krerëve të UÇK-së dhe e institucioneve të Republikës së Kosovës në këto dy ditët e fundit, është jo vetëm dinjitoze në rrafsh personal dhe kombëtar, por edhe shprehje e gatishmërisë së plotë për t’i dalë përballë drejtësisë dhe zbardhur të vërtetën. Sipas tij, krerët e UÇK-së sot edhe njëherë mbartin barrën e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së dhe gjithë historisë së vonë të Kosovës.

“Ne mbesim krejtësisht të bindur në drejtësinë e luftës dhe në pafajësinë e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kosova, si gjithmonë, do të ngrihet edhe më e fortë pavarësisht sfidave!”, përfundoi reagimin Cakaj.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi nëpërmjet një deklarate u shpreh se: “Dorëheqja e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe deklarimi i tij për t’u përballuar me drejtësinë është një akt emancipimi, përgjegjësie dhe vendosmërie për t’u përballur dhe për të mbrojtur të vërtetën dhe të drejtën”.

“Vepra e Ushtrisë Çirimtare të Kosovës është çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj, e arritur me mbështetjen e popullit të Kosovës dhe në partneritet me aleatët e mëdhenj dhe strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n. Populli kosovar dhe udhëheqësit e luftës çlirimtare kanë qenë në anën e duhur dhe të drejtë të historisë. Drejtësinë e kësaj luftë e ka vërtetuar koha”, shprehet Ruçi.

“Në gjykimin për të vërtetën, gjithkush mund të ketë interpretimet e veta, por jo faktet e veta. Faktet dhe e vërteta janë një dhe vetëm një: Kosova, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëheqësit e saj ishin viktimat përballë agresorit dhe jo e kundërta. Jam i bindur se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe drejtuesit e tjerë të kësaj lufte do të dijnë ta pohojnë këtë të vërtetë përballë drejtësisë dhe do të venë në vend nderin, dinjitetin dhe kontributin historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shërbim të popullit të vet, të lirisë, të drejtësisë dhe të paqes. Ata kanë mbështetjen e të gjithë shqiptarëve si edhe të gjithë njërëzve të planetit që aspirojnë për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën”, shprehet Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Gjithashtu dhe kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shprehur mbështetjen për Hashim Thaçin ku thekson se, Hashim Thaçi, ashtu si UÇK-ja, luftoi për lirinë dhe përparimin e Kosovës dhe se historia as mund të ndryshohet, por as mund të harrohet.

“Lufta për çlirimin e Kosovës ishte akti i drejtë i një populli që kërkonte liri nga masakrat dhe gjenocidi gjakatar i Millosheviçit. Hashim Thaçi, ashtu si UÇK-ja, luftoi për lirinë dhe përparimin e Kosovës! Historia as mund të ndryshohet, por as mund të harrohet”, shprehet Veliaj.

 

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.