Buxheti 2021/ Rritja më e madhe e pagës minimale në 10 vitet e fundit

TIRANË, 5 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot se ky “Kuvend bën rritjen më të madhe të pagës minimale në 10 vitet e fundit, duke arritur në 30 mijë lekë”.

“Çdo familjeje i garantohet të çojë minimalisht në shtëpi 300 mijë lekë të vjetra. Për 2021, falë mirëadministrimit financiar ne jemi në kushtet që edhe pse jemi në pandemi, ku goditja ndaj ekonomisë ka qenë më e rënda në 30 vitet e fundit, ku rindërtimi merr pjesën më të madhe të infrastrukturës, ne përsëri jemi në kushtet të garantojmë rritje të pagave”, tha Balla.

Nga rritja e pagës, sipas tij, përfitojnë 4650 mjekë në kujdesin parësor e dytësor, 13 765 infermierë dhe laborantë dhe 35 833 mësues të arsimit parauniversitar.

“Janë shifra konkrete që kanë konfirmuar që ekonomia shqiptare edhe në kushtet e kësaj flame që ka goditur gjithë ekonominë globale sot, falë mirëadministrimit përfundojmë procesin e rindërtimit brenda 2021, nuk prekim pjesën më të rëndësishme të investimeve publike”, tha Balla.

Po ashtu, ai theksoi se buxheti 2021 mbështet reformën në drejtësi. “Janë 53 milionë dollarë të tjera për 668 personel shtesë të Reformës në Drejtësi. Shpreh mbështetjen e plotë për procesin historik të pastrimit të drejtësisë dhe nxis ecjen më tej të procesit të Vetingut dhe goditjen e çdo gjyqtari dhe prokurori të korruptuar”, tha ai.

Po ashtu Balla tha se “nuk ka diferenca mes jugut dhe veriut të vendit, por politika jonë i trajton komunitetet të gjitha njëlloj”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.