Basha me banorët e dëmtuar nga tërmeti në Ishëm: Qytetarët të braktisur nga qeveria

TIRANË, 5 nëntor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar sot në Ishëm një takim me banorët e dëmtuar nga tërmeti, ku premtoi se me qeverinë e re do rimëkëmbet ekonomia dhe do rindërtohen shtëpitë.

Gjatë bisedimit me banorët, Basha tha se dy prioritetet kryesore të qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, do të jenë ruajtja e shëndetit të shqiptarëve dhe rimëkëmbja e një ekonomie të rrënuar nga pandemia dhe abuzimet me PPP dhe koncesionet.

Ai u premtoi banorëve, se qeveria e re do të garantojë me anë të buxhetit të shtetit rindërtimin e shtëpive të tyre dhe se çdo ndihmë e ardhur për ta nga jashtë do të shkojë për nevojat e tyre.

“U ngrit gjithë bota për ta ndihmuar Shqipërinë, vetëm këta s’u kujtuan. Por ju garantoj që do të marrë fund. Dy prioritete kryesore do të kemi. E para, shëndetin edhe ekonominë që ka shkatërruar pandemia dhe gjithë ndihmat që i ka ndarë Europa për tërmetin dhe që duhet të vijnë tek ju, do të vijnë tek ju dhe buxheti i shtetit do të bëjë të mundur që brenda një kohe shumë të shkurtër shtëpitë t’ju rindërtohen dhe vuajtja që keni hequr t’ju lehtësohet sadopak. Më vjen keq që ju kam ardhur në këto kushte të vështira, por ju jap fjalën që do vij t’ju shoh edhe kur ta kemi riparuar këtë dëm edhe t’i keni shtëpitë e rindërtuara”, tha ai. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.