Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u dërgon formularin 2 të dënuarve për vepra penale

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit (OFL) i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 2 shtetasve.
Konkretisht, OFL i ka dërguar kërkesë P. M., banues në Përmet, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”; B. B., banues në Gjirokastër, i dënuar për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, në pesë raste.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë./k.s/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.