Kryemadhi: Buxheti për arsimin në Shqipëri duhet të shkojë 5% e GDP

TIRANË, 4 nëntor /ATSH – I. Vata/ Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi deklaroi sot se buxheti për Arsimin në Shqipëri duhet të shkojë në 5% të GDP.

Duke folur në një intervistë televizive, Kryemadhi u shpreh se investimi tek një arsim cilësor është shumë i rëndësishëm.

“Buxheti për arsimin në Shqipëri duhet të shkojë tek 5% e GDP dhe ky do të jetë një objektiv i LSI dhe opozitës së bashkuar”, tha Kryemadhi.

Por për kryetaren e LSI arsimi nuk duhet të jetë thjesht në buxhet, por në politika afatgjata dhe të mirëstudiuara.

Kryemadhi u shpreh se mungesa e një arsimi cilësor nuk garanton konkurrencën nesër jo vetëm në vendet evropiane por dhe me vendet e rajonit dhe fokusi ynë kryesor është te krijimi i klimës së biznesit pra për të krijuar një mundësi punësimi, uljen e taksave që të krijosh mundësi të rritjes së pagave dhe të krijosh mundësinë e vendeve të reja të punës por nga ana tjetër dhe krijimin e një programi “Mëso dhe Fito”.

“Për ata që janë studentë të kenë dhe mundësinë e punësimit nëpër kompani të ndryshme që të kenë mundësi jo vetëm të një page që ti ndihmojë për realizimin e arsimimit të tyre por nga ana tjetër të kenë dhe mundësinë e bashkëpunimit dhe përfshirjes së tyre në tregun  e punës. Ndërkohë për të vazhduar pastaj në fusha të ndryshme që kanë të bëjnë me taksat e larta, administrimit të TVSH për të rivlerësuar nga skema fiskale dhe për të krijuar një lehtësi që krijon jo vetëm çmime të ulëta në xhepat e konsumatorëve shqiptare por krijon dhe një formalizim të tregut shqiptar i cili krijon hapësira të reja jo vetëm në buxhetin e shtetit por dhe riqarkullimin e mundësive financiare për të krijuar vende të reja pune dhe për tu dhënë atyre një mundësi të pagimit”, tha Kryemadhi.

Po ashtu, Kryemadhi shtoi se “për ne arsimi nuk shikohet thjesht në shifra në buxhete, për ne arsimi shihet në investim në politika, pra në mënyrën e zhvillmit të sistemit arsimor, sepse nuk mund të ndërtosh një shkollë në majë të malit ku nuk ka asnjë nxënës, kur ndërkohë zhvillohen mësimet me katër turne në shkollat në mes të Tiranës apo në qytete të tjera ku është përqendrimi më i madh i popullsisë”, tha Kryemadhi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.