FUTBOLL – Maradona i nënshtrohet me sukses një operacioni në tru

BUENOS AIRES, 4 nëntor /ATSH-ANSA/ – Diego Armando Maradona u operua me sukses në tru, deklaruan mjekët e një klinike private.

“Arritëm të hiqnim mpiksjen e gjakut. Diego e përballoi mirë operacionin”, tha Leopoldo Luque në klinikën e tij private në Buenos Aires.

“Çdo gjë është nën kontroll dhe Diego ndodhet nën vëzhgim”, shtoi Luque.

Maradona, 60 vjeç, u shtrua në spital të hënën në një spital në La Plata, ku ai është edhe trajneri i skuadrës së ”Gimnasia”.

Diego Armando Maradona u operua pasi kontrollet që iu nënshtrua zbuluan praninë e një hematome subdurale.

Ndërkohë, grupe tifozësh me parulla ndodhen pranë klinikës për të përshëndetur idhullin e tyre.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.