Ritme të larta Rindërtimi/ 28 miliardë lekë nga buxheti vitin e ardhshëm, adreson strehimin dhe krijon kushte për punësim të konsiderueshëm

TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot “programi i rindërtimit po ecën me ritme shumë të larta dhe për këtë program parashikohen 28 miliardë lekë në projektbuxhetin e vitit 2021 dhe paralelisht është parashikuar edhe fondi në vazhdim prej 1.5 miliardë lekësh për bonusin e qirasë për familjet që do vazhdojnë të qëndrojnë në kushte shtëpie deri në ditën që do të kthehen në apartamentet e reja”.

Në konferencën e përjavshme për shtyp, Kryeministri Rama duke folur për impaktin e programit të Rindërtimit në ekonomi dhe punësim tha se “këtë vit janë 34 miliardë lekë të buxhetit të shtetit të vendosura në dispozicion të Rindërtimit, prej të cilave 32 miliardë lekë janë të alokuara plotësisht”.

“Nga këto deri në fillim të tetorit janë 70 milionë dollarë të derdhura dhe faktikisht bëhet fjalë për shtëpitë të cilave një masë përditë e më e konsiderueshme banorësh po u marrin çelësat. E gjithë pjesa tjetër e shumës është në themelet apo strukturat e ndërtesave të reja, të shkollave, qendrave komunitare dhe infrastrukturës rrugore dhe nëntokësore të atyre që do të jenë së shpejti lagje të reja të ngritura nga e para në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri u shpreh se “programi adreson një problem jashtëzakonisht të mprehtë për mijëra familje, por ndërkohë krijon kushtet për një përfshirje masive të gjithë kompanive të ndërtimit dhe për një përfshirje në punë të një numri të konsiderueshëm individësh”.

Nga ana tjetër, shtoi Rama, projektbuxheti i vitit 2021 vazhdon të adresojë në mënyrë prioritare pikërisht pasojat e tërmetit dhe fatkeqësinë tjetër të madhe, goditjen e vendit tonë, shoqërisë dhe njerëzve nga COVID-19.

“Padyshim që qëllimi ynë mbetet deri në fund që shtëpitë e rindërtuara të jenë më të mira dhe më të forta dhe në shumë raste edhe më të mëdha se shtëpitë e goditura nga fatkeqësia duke pasur parasysh edhe faktin që ne kemi zgjedhur të bëjmë një politikë të mirëfilltë strehimi për të gjitha kurorat që ishin bashkë në një kulm në shtëpitë e shembura nga tërmeti, për të cilat po ndërtohen shtëpi të veçanta dhe po ndërtohen”, – tha Rama. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.