TURQI – 25 viktima dhe mbi 800 të plagosur pas tërmetit në Izmir

ANKARA, 31 tetor /ATSH-AA/ – Të paktën 25 persona humbën jetën dhe 804 të tjerë u plagosën si pasojë e tërmetit 6,6 ballë që goditi qytetin e Izmirit, në Turqi, njoftoi Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Të paktën 725 u plagosën në Izmir, ndërsa në provincat fqinje, 5 persona u plagosën në Manisa, dy në Balikesir dhe 54 në Aydin.

Më herët, guvernatori i Izmirit, Yavuz Selim Kosger, tha se tërmeti shkaktoi një minicunami në qarkun bregdetar të Seferihisar, ku mbeti i plagosur të paktën një person.

Nga AFAD thanë se mbi 450 automjete dhe mbi 3 200 punonjës u dërguan në vendin e ngjarjes, bashkë me 20 qenë nuhatës.

Gjysmëhëna e Kuqe Turke gjithashtu dërgoi 79 punonjës, 70 vullnetarë, 17 automjete dhe 5 kuzhina të lëvizshme që kanë kapacitetin për të shërbyer mbi 25 mijë persona.

AFAD gjithashtu bëri të ditur se 960 çadra, 4 500 batanije dhe 3 672 shtretër u dërguan në rajon.

Gjithashtu u bë e ditur se ndihma emergjente prej 5 milionë lirash turke (rreth 600 000 dollarë) u dërguan në rajon nga Ministria e Familjes, Punës dhe Shërbimeve Sociale, si dhe 3 milionë lira turke (rreth 360 000 dollarë) u mundësuan nga AFAD.

AFAD njoftoi se më vonë, një tërmet tjetër 5,1 ballë goditi detin Egje, 20 kilometra larg rrethit Kusadasi të provincës turke Aydin./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.