Situata e pandemisë në Fier/ Baçi: Mungojnë testimet edhe për qytetarë me simptoma

TIRANË, 31 tetor /ATSH – I. Vata/ Ish-deputeti i PD-së, Luan Baçi u shpreh sot se Fieri, edhe pse me raste të shtuara, nuk ka tamponë për testimin e qytetarëve.

Në një deklaratë për shtyp, Baçi tha se situata e përhapjes së pandemisë Covid 19 në Fier dhe e trajtimit të saj prej strukturave shëndetësore është në përkeqësim të përditshëm.

“Qeveria i ka lënë qytetarët në mëshirë të fatit, pa u dhënë një zgjidhje, pa u siguruar testim dhe mjekim. Në Fier mungojnë tamponët për të bërë testin. Në repartin e urgjencës  konstatohen pacientë me simptomat Covid, por atyre nuk u bëhet tamponi. Skaneri konfirmon se gjendja në Fier është alarmante. Dy ditë më parë, 35 pacientë që kanë bërë skanerin, kanë rezultuar pothuajse të gjithë të prekur me COVID dhe në fazë të avancuar. Nëse këtyre qytetarëve do t’u bëhej tamponi në kohë, do ta kishin më të lehtë të kuronin sëmundjen”, u shpreh Baçi.

Në vijim, Baçi shtoi se “edhe ata pak qytetarë që mund të bëjnë tampon në shtet nuk marrin përgjigjen në kohë”.

“Vonesat në kthimin e përgjigjeve shkon nga 1 javë deri në 10 ditë. Sipas informacioneve nga spitali i Fierit, përgjigjet e disa tamponëve të bërë nuk kanë ardhur prej datës 21 tetor. Te sëmurëve me simptoma, askush nuk u jep një shpjegim se pse nuk ka tampon”, u shpreh ish-deputeti. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.