Rindërtimi në Shijak/ Gati hapja e themeleve të 19 pallateve, drejt fundit puna për kanalizimet, parkingjet dhe rrugët lidhëse

 

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Rindërtimi i banesave kolektive në Shijak po vijon me ritëm të shpejtë ndërsa është drejt përfundimit puna për kanalizimet dhe rrugët ndërlidhëse. Pritet nisja e punës për hapjen e themeleve për ndërtimin e 19 pallateve, të cilat do të zëvendësojnë ndërtesat që u dëmtuan nga tërmeti i nëntorit të shkuar.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka qenë pranë kantierit  për të parë punimet në lagjen Lugina, teksa banorët e zonës presim me padurim përfundimin dhe u shprehën entuziastë.

“Mezi po presim sepse edhe me qira nuk rrihet. Nuk ka si shtëpia jote kanë thënë të vjetrit. Nuk e prisnim me thënë të drejtën sepse ka të tjerë që kanë më shumë kohë, po falë ndjekjes së punëve nga vetë kryetari i bashkisë po punohet shpejt. Është një meritë për ata dhe i uroj punë të mbarë”, u shpreh një qytetar.

“Faleminderit shumë për punimet që po bëhen, bravo i qoftë kryetarit të bashkisë që po fillon kaq shpejt sepse mosha jonë presim ishalla të gëzojmë shtëpitë e reja sa më shpejt”, u shpreh një i moshuar.

“Jam banor i Shijakut këtu tek lugina, kam pasur banesën tek pallati që është shembur. Falënderojmë kryeministrin Edi Rama sepse ka ardhur këtu personalisht shumë herë. Kur të na dorëzojë çelësat e apartamenteve këtu tek lugina, jam i pari që do ta mbaj në krahë Edi Ramën. Një edhe një bëjnë dy, e kupton? Falënderoj kryeministrin dhe kryetarin sepse po bëjnë jashtëzakonisht shumë punë këtu në Shijak”, u shpreh një banor.

“Jam shumë i gëzuar që do të na bëjnë me shtëpi të re dhe me pallat të ri. Për këtë unë doja të falënderoja shumë qeverinë dhe kryeministrin dhe në veçanti edhe kryetarin e bashkisë. Nuk e prisnim që të nisnin kaq shpejt punimet”, tha një tjetër.

“Po presim punimet dhe që të bëhet shtëpia e re. Kanë filluar punimet dhe tani presim që të ndërtohen shtëpitë sa më shpejt”- u shprehën qytetarë të tjerë për ATSH-në.

Inxhinieri i zbatimit, Albano Selmanaj  tha se është realizuar 90% e punës, teksa sipërfaqja e ndërtimit është 935 metra katrorë. “Objekti ynë është ndërtimi i infrastrukturës ndihmëse për zonat e dëmtuara nga tërmeti në Shijak. Për momentin ndodhemi këtu në lagjen Lugina, në Shijak i njohur në gjuhën e projektit si sajti 1/5. Është gjurma më e madhe e projektit me sipërfaqje 534 metra katror, është i shoqëruar nga të dyja krahët infrastrukturë ndihmëse për pallatet që do të ndërtohen në vazhdimësi dhe pritet që të fillojë punë në javën e parë të nëntorit. Pritet që të ndërtohen 19 pallate dhe pjesa jonë është ndërtimi infrastrukturës për ndërtimin e këtyre pallateve”,- tha Selmanaj.

“Kemi kanalizimet e ujërave të zeza në të dyja krahët në të gjithë gjatësinë e rrugës. Kemi gjithashtu edhe ujërat e shiut në të dyja krahët e rrugës. Rruga është me një gjerësi konstante 6.5 metër asfalti, do ketë dhe trotuare minimalisht 2 metra në secilin krah dhe më shumë në hapësira të tjera që do të jenë variabël. Deri më tani kemi realizuar 90 për qind të ujërave të zeza. Dhe jemi afërsisht në 65 për qind të punimeve për kullimin e ujërave te bardha ose siç i njohim si ujërat e shiut. Deri me tani kemi vazhduar me këto procese punimesh dhe me zbarkimin e dherave për të hapur sipërfaqen e rrugës”,- vijoi ai.

“Në këtë moment po të shohim jemi duke punuar në zonët e parkingut sepse projekti ne këtë lagje ka edhe tre zona parkingu të cilat ndodhen, njëra këtu pas nesh dhe dy zonat e tjera ndodhen diku më poshtë. Zonat e parkingut janë afërsisht e 600 metra katror nga 20 poste parkingu për secilën hapësirë. Brenda këtij projekti ne kemi edhe 3 lagje të tjera ku po punohet, janë poshtë tek sajti 1/3 dhe ¼, por edhe sajti 1/1 qe ndodhet prapa bashkisë, qe njihet edhe si lagja Erzen”,- shtoi Selmanaj.

“Neve kemi kryer procesin e punës tone për të filluar edhe puna për hapjen e themeleve të pallateve që duhet të fillojnë punë në javën e parë të nëntorit. Procesi i punës tonë duhet të mbarojë në shkurt te vitit 2021. Neve po punojmë edhe me orare te zgjatura për të arritur edhe afatin, dhe për të qenë korrekt me grafikun e punimeve qe është e aprovuar për këtë projekt. Kemi pasur një bashkëpunim nga pushteti lokal, si nga vet kryetari i bashkisë por edhe nga njerëzit e vet që na ndihmojnë dhe na asistojnë në punimet në kantier”,- thekson Selmanaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.