Rikthehet pas 10 vjetësh Akademia e Forcave të Armatosura, 60 të rinj nisin studimet/ Xhaçka: Për një forcë të mirëarsimuar

TIRANË, 31 tetor /ATSH – I. Vata/ Pas më shumë se 10 vjetësh shkëputje, rikthehet Akademia e Forcave të Armatosura, ku prej së hënës, 60 të rinj do të nisin studimet në shkencat ushtarake.

Rikthimi i kësaj akademie, u bekua edhe nga Akademia e Shkencave, e cila në vijim të bashkëpunimit shumë të mirë me Forcat e Armatosura, i dhuroi fondit të bibliotekës së akademisë 220 tituj librash.

Në një ceremoni të posaçme të zhvilluar më këtë rast, Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi u shpreh se “Akademia e Shkencave ka në politiken e saj që të dhurojë botimet e veta pasi gjithë qëllimi i botimeve pranë akademisë është mbi të gjitha promovimi, nxitja e krijimtarisë, pasqyrimi i studimeve më të rëndësishme dhe kënaqësia është më e veçantë kur këtë dhuratë ia japim një institucioni prestigjioz që është akademia e forcave të armatosura”.

Nga ana e saj ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka falënderuar Akademinë e Shkencave. “Falënderime për këtë dhuratë të qenësishme në një moment tepër të rëndësishëm për Forcat tona të Armatosura siç është rihapja pas 10 vitesh e Akademisë sonë. Këtë të hënë fillojnë e studiojnë në Akademi 60 studentë e parë. Është një moment i rëndësishëm sepse jo vetëm çelim dyert e një institucioni kaq të rëndësishëm, por çelim dyert e të vetmit institucion të licencuar në vend për mbrojtjen dhe sigurinë”, tha ajo.

Në vijim, Xhaçka shton se nuk ka investim më të mirë sa investimi tek dija.

“Kjo është shumë e vlefshme edhe për Forcat tona të Armatosura, sepse nuk ka rëndësi sa të mira janë pajisjet apo pajimet tona. Nuk ka rëndësi sa të mëdha janë buxhetet tona nëse nuk kemi një forcë të mirëtrajnuar të mirëarsimuar, profesioniste për t’u përballur me sfidat e sotme me sfidat shumë të larmishme që ka bota sot nuk do t’ia dalim që të jemi një vend aleat i NATO-së më të gjitha kapacitetet”, u shpreh Xhaçka. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.