Rama së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tij Zaho në Valbonë/ Thesar mahnitës i Shqipërisë

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vizitoi të shtunën Valbonën, një ndër perlat e Alpeve Shqiptare, e cila shtrihet në Tropojë.

Në vizitën e tij në Valbonë, Rama shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Linda Rama si dhe Zaho, djali i tyre i vogël.

Kryeministri publikoi foto nga një prej bujtinave të kësaj zone.

“Në bujtinën tradicionale të Kolë Gjonit, një shembëlltyrë e pasionit për punën në mes të një spektakli magjepsës të natyrës, ku Kola bashkë me gruan e djemtë presin e përcjellin vizitorë shqiptarë e turistë të huaj, duke e ndërtuar suksesin prej vitesh pa lëvizur nga vendi”, tha Rama.

Rama tha se qeveria po investon në Valbonë për ndërtimin e infrastrukturës që do të mundësojë zhvillimin më tej të zonës dhe rritjen e mirëqenies së banorëve.

“Të tjerë po kthejnë sytë çdo vit e më shumë kah Valbonës, me projekte interesante e me dëshirën për ta zbuluar këtë thesar mahnitës të Shqipërisë, ndërkohë që ne vazhdojmë të investojmë për ta mbështetur këtë zbulim me infrastrukturë, modele zhvillimi si qendra e re turistike, financime direkte për bujqësinë, blegtorinë, bujtinat, si edhe zgjidhjen e problemit të vjetër të pronësisë“, deklaroi Rama./a.gjonaj//a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.