Qendra moderne e grumbullimit të gështenjave në Tropojë, ndërveprim me 3 mijë familje për mbledhjen dhe eksportin e tyre në Europë

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Tropoja ka sot një qendër moderne të grumbullimit të gështenjave, e ngritur me mbështetjen financiare të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural dhe sot ndërvepron me 3 mijë familje për mbledhjen, depozitimin dhe eksportin e gështenjës në Europë.

Kryeministri Edi Rama në kuadër të vizitës që po zhvillon në qarkun e Kukësit, vizitoi edhe qendrën e grumbullimit të gështenjave, në Dojan të Tropojës.

Rama pa nga afër të gjithë punën që bëhej në këtë pikë grumbullimi të gështenjave si dhe kushtet moderne në të cilat ato ruhen që më pas të eksportohen në tregje që tashmë i kanë kaluar ato rajonale, duke mbërritur në tregjet europiane, Hungari dhe Itali.

Ardiani, pronari i pikës së grumbullimit të gështenjës së Tropojës, e cila shquhet për shijen unike të saj, bëri të ditur se vitin që vjen do të nisë edhe tharja e gështenjës, pasi në këtë gjendje po kërkohet nga tregu italian. Në Tropojë janë mbi 3 mijë hektarë tokë ku kultivohet gështenja.

AZHBR ka financuar gjithashtu edhe 164 bletarët tropojanë, ndërsa kryeministri Rama premton se do t’i mbështesë ata për ngritjen e një fabrike të përpunimit e të ambalazhimit të mjaltit, për tregun vendas dhe eksportin.

“Duhet ngritur një pikë, ku mjalti të grumbullohet, ambalazhohet me kushte optimale, të vendoset një logo e përbashkët, pra të krijohet një lloj sipërmarrjeje, në formën e një kooperative, ku secili ka pjesën e vet dhe merr atë që i takon, por duke mbledhur forcat dhe duke bashkëpunuar krijohen mundësi më të mëdha”, tha Rama.

Fermerët e Tropojës e informuan kryeministrin edhe për tregtimin e boronicës, eksporti i të cilës këtë vit mbërriti në Venecia.

Rama u bëri të ditur fermerëve të kësaj zone se po punohet për dhënien e dokumenteve të pronësisë në bazë të kufijve të vjetër, për familjet që shfrytëzojnë pyllin fantastik të gështenjave.

“Së shpejti do të jepen edhe dokumentet e pronësisë në bazë të kufijve të vjetër, për familjet që shfrytëzojnë pyllin fantastik të gështenjave dhe krijojnë punë e të ardhura me mbledhjen e këtij fruti kaq shumë të kërkuar në tregun vendas e atë europian”, u shpreh Rama.

Kryeministri Edi Rama foli edhe në zhvillimin turistik të Valbonës, e njohur si perla e Alpeve Shqiptare.

“Me hotelin e ri që po ndërtohet dhe qendrën turistike e cila ka filluar të sjellë njerëz krijohen mundësi të reja për banorët e fermerët, sepse do të duhet të ketë gjithnjë e më shumë prodhime dhe nënprodukte të përpunuara që të jenë direkt në tavolinë”, tha Rama.

“Po hapet një kapitull i ri për turizmin malor, që deri sot ka qenë një turizëm aventuror. 10-vjeçari që po hyjmë do të transformojë këtë zonë dhe një pjesë e madhe e të rinjve të larguar do të kthehen, sepse do ta kuptojnë se fitojnë shumë më shumë këtu, se sa atje ku po jetojnë”, deklaroi Rama.

Në këtë drejtim, sipas kryeministrit Rama, një rol të madh do të luajë edhe ndërtimi i Aeroportit të Kukësit.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexh Biberaj bëri të ditur se ka një ndryshim në këtë bashki për shkak të investimeve që po kryhen këto vitet e fundit.

“Tropoja ka resurse të mëdha por ishte e lënë pas dore”, bëri të ditur ai.

Sipas Biberaj, falë këtyre investimeve banorët e Tropojës po kthehen çdo ditë për të jetuar pranë pronave të tyre./a.gjonaj//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.