“Që Shqipërisë të mos i ndodhë si me Rrugën e Kombit”/ Rama nga kantieri i aeroportit të Kukësit: Mandati i tretë për ta ngritur në nivel tjetër

TIRANË, 31 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Partisë Socialiste i duhet një mandat i tretë për të ngritur Shqipërinë në një nivel tjetër zhvillimi.

Në aktivitetin “Deputeti që duam” të organizuar në Kukës, Rama shpjegoi se pse Partisë Socialiste i duhet një mandat i tretë.

“Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse kthesa që kemi marrë dhe ku tanimë kemi hyrë thellë për të filluar të dalim në rrugën që e ngre Shqipërinë në një nivel tjetër, nuk mund të zmbrapset dhe Shqipëria nuk mund të ngecë sot, kur shumëçka ka nisur të marrë formë si ky aeroport”, tha Rama, nga aeroporti i Kukësit ku u zhvillua ky aktivitet.

Kryeministri tha se “nëse PS e lë në mes këtë punë do të ndodh me Shqipërinë e njëjta gjë që ndodhi me Rrugën e Kombit, e cila është pa diskutim e vetmja vepër publike e nisur nga ata të cilët sot duan të rikthehen në krye të punëve të vendit pasi nuk kanë bërë asnjë reflektim dhe ndryshim nga e shkuara”.

“Rruga e Kombit u nis të bëhej një vepër e standardeve europiane dhe në fakt kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, edhe ajo rrugë e cila u përurua me tamtame si të ishte bashkimi i Shqipërisë me Kosovën dhe jo thjesht hapja e një tuneli, ndërkohë që as tuneli vetë nuk ishte i përfunduar, faktikisht u la rrugëve. Në një situatë ku filloi të degradohej dhe ku rrëshqisnin masivët e dheut duke u kthyer në burim aksidentesh”, tha Rama.

Ndërkohë, Kryeministri theksoi se sot në Rrugën e Kombit nuk është thjesht përpjekja drejt përfundimit të saj plotë por është edhe një ndryshim cilësor i standardeve dhe i mënyrës së të projektuarit dhe të ndërtuarit në funksion të çdo kalimtari dhe qytetari që jeton në dy anët e rrugës”.

“Shikoni se sa vepra arti ka gjatë rrugës. Mbikalime apo rrugë dytësore për të lidhur komunitetet deri dje të izoluara dhe sfiduara që rrezikojnë të hyjnë në shtratin e rrugës. Shikoni se çfarë vepre e jashtëzakonshme inxhinjerike po merr formë përfundimtare në nyjen kryesore. Ura e lënë trashëgim nga e shkuara u konsiderua e mjaftueshme, ndërkohë po ndërtohet ura e re, e cila së shpejti do të vendoset mbi bazamentet që po ndërtohen aktualisht duke spostuar masive të mëdhenj dheu e shkëmbi”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje edhe punën që po bëhet për ndërtimin e aeroportit të Kukësit i cili është premtuar sa herë çeleshin fushata fushata elektorale, për të ardhur në ditën që vërtet aeroporti u kthye në kantier ndërtimi.

Disa thonë se aeroporti ishte gati, por nuk ishte as gjysmë gati. Ishte një pistë e ndërtuar me bujari të madhe nga Mbreti i Emirateve të Bashkuara dhe e asistuar këtu nga vetë Princi i Kurorës, por u ndërtua në atë kohë për të ulur thjesht dhe vetëm mjetet që sillnin ndihma për ata të cilët u shpërngulën me dhunën e spastrimit etnik nga Kosova. Nuk ishte absolutisht një pistë e cila mund të shërbente si një aeroport ndërkombëtar me të gjitha standardet dhe garancitë për të ulur këtu avionët e pasagjerëve”, tha Rama.

Ai theksoi se “sot është një kantier i madh në punë intensive pas shumë e shumë përpjekjesh për t’u çelur si kantier, pasi janë zgjidhur problemet edhe me të gjithë banorët përreth, terrenet e të cilëve janë në dispozicion të aeroportit”.

Rama tha se “tani ka marrë formë një terminal i mirëfilltë i një aeroporti ndërkombëtar dhe me një ambicie shumë të madhe për ta kthyer Kukësin në pikë referimi jo vetëm për banorët e Kukësit”.

“Do të jetë një aeroport që do të siguroj linja që nuk i ka dhe s’do t’i ketë as Tirana dhe as Prishtina”, tha Rama.

Ai theksoi se “aeroporti që do të sjellë 1 mijë vende pune direkte dhe mijëra vende të tjera pune që do të krijohen si rrjedhojë e krijimit të tij”.

“Aeroportet nuk janë pista vallëzimi, as për kuaj, por janë fabrika zhvillimi dhe sjellin me vete shumë aktivitete të tjera. 1 euro e investuar në një aeroport sjell 17-27 euro të tjera si rezultat i atij investimi pasi duhet të ndërtohen infrastruktura të tjera mikpritje, shërbimesh, turizmi malor”, tha Rama.

Rama tha po ashtu se do të hapet gara ndërkombëtare për aeroportin e Vlorës, proces i ndërprerë nga situata e pandemisë si dhe për aeroportin e Sarandës.

“Nëse Shqipëria ka 4 aeroporte vizioni i Shqipërisë turistike merr një formë të plotë dhe potenciali i Shqipërisë turistike zhvillohet më tepër se sa të kemi vetëm një aeroport, më i shtrenjti në rajon sepse nuk ka alternativa. Koncesionari i Aeroportit të Tiranës nuk ka konkurrencë dhe alternativa që do të ulin çmimet”, tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.