Kryeprokurori Çela i kërkon ILD-së nisjen e hetimit të shkeljeve të prokurorit Shkëlqim Kokona

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela i ka kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nisjen e procedurës së inspektimit për hetimin e shkeljeve individuale të kryera në ushtrimin e detyrës nga ana e prokurorit Shkëlqim Kokona në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

Pas informacioneve të marra nga Drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, Sektori i Monitorimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka vijuar me ndjekjen dhe monitorimin e rastit, duke konstatuar veprime të cilat përbëjnë indicie për shkelje disiplinore në ushtrimin e detyrës nga ana e prokurorit Kokona në lidhje me funksionin e tij si magjistrat sipas nenit 102 pika 1 gërma “b” të ligjit 96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin nr. 48/2019.

Ky është rasti i parë që nga krijimi i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë që Prokurori i Përgjithshëm i kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nisjen e inspektimit disiplinor për një prokuror.

Sipas njoftimit të prokurorisë, kjo është shprehje e vullnetit për të kontribuar në mirëfunksionimin e shërbimit të prokurorisë në të gjitha nivelet, përmes një qasje proaktive dhe rritjes se koordinimit ndërinstitucional, duke synuar rritjen e përgjegjshmërisë së prokurorëve dhe zhdukjen e kulturës së pandëshkueshmërisë brenda institucioneve të drejtësisë.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.