KANADA – Zgjatet mbyllja e kufijve deri në fund të nëntorit

OTAVA, 31 tetor /ATSH-AFP/ – Kanadaja njoftoi sot një zgjatje tjetër, deri në fund të nëntorit, të mbylljes së kufijve për të huajt, prania e të cilëve nuk konsiderohet thelbësore, si dhe përjashtime nga karantina e detyrueshme.

Që prej marsit të kaluar, udhëtarët e mbërritur në Kanada, qofshin kanadezë apo jo, janë vendosur në karantinë të detyrueshme 14-ditore me qëllim për shmangur përhapjen e koronavirusit.

Që nga fillimi i qershorit, shtetasit e huaj mund të bashkohen me familjet e tyre që jetojnë në Kanada, nëse janë bashkëshortë, fëmijë, prindër ose kujdestarë ligjorë të shtetasve kanadezë. Përndryshe, pranohen vetëm njerëzit, prania e të cilëve në tokën kanadeze konsiderohet thelbësore, siç janë disa punonjës.

Për herë të parë, qeveria kanadeze njoftoi heqjen e karantinës së detyrueshme për banorët e disa komunave kanadeze ose amerikane pa dalje në det kur ata udhëtojnë në rajonin e vendit fqinj për pazar ose shërbime mjekësore./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.