GJERMANI – Scholz: Pas krizës pandemike të rrisim taksat për ata që fituan shumë

BERLIN, 31 tetor /ATSH-ANSA/ – Kandidati i SPD për kancelarinë për zgjedhjet parlamentare në Gjermani, në vitin 2021, dhe njëkohësisht ministri aktual i Financave Olaf Scholz deklaroi se është në favor të rritjes së taksave për ata që fituan shumë para gjatë krizës së pandemisë.

Ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier, megjithatë, e kundërshtoi këtë duke thënë se rritja e taksave është një helm për ekonominë dhe se ai personalisht do të angazhohet për të parandaluar që kjo të ndodhë, edhe pas zgjedhjeve të vitit 2021.

Duke filluar me prezantimin e djeshëm të masave për të mbështetur ekonominë në këtë fazë të re të bllokimit të pjesshëm nga dy ministrat, Altmaier dhe Scholz, u rishfaq çështja e financimit të kompanive të prekura.

Ministri i Financave ka përsëritur në çdo rast se taksat nuk do të rriten, për momentin, për të financuar ndihmën prej 10 miliardë eurosh.

”Gjermania nuk ka nevojë për para, le të themi të freskëta, sepse këto para do të merren nga fondi i ndihmës prej 25 miliardë tashmë të lënë mënjanë dhe nga të cilat vetëm 1,5 miliardë janë përdorur deri më tani”, theksoi Scholz. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.