EANA seri takimesh online për sfidën e agjencive të lajmeve kundër Covid-19

TIRANË, 31 tetor /ATSH/ – Aleanca e Agjencive Europiane të Lajmeve, EANA, ku ATSH është anëtare me të drejta të plota, zhvilloi për herë të parë në historinë e saj 64-vjeçare një konferencë online, në vend të një takimi fizik në Kiev, ku u diskutua sidomos sfida e këtyre agjencive kundër pandemisë së Covid-19.

Kjo konferencë u shndërrua në një seri takimesh në internet të zhvilluara për 6 javë, duke filluar nga 17 shtatori dhe duke përfunduar më 23 tetor, me titullin “Koronavirusi: Ndryshimet dhe Shanset”.

”Agjencitë e lajmeve janë më shumë se kurrë enët e gjakut në rrjedhën ndërkombëtare të informacionit. Kriza Covid-19 e ka theksuar atë rol – por në të njëjtën kohë ka prodhuar sfida të pashembullta. Shkëmbimi i përhershëm i njohurive midis 32 anëtarëve të EANA-s është më e rëndësishme se kurrë”, deklaroi Peter Kropsch, presidenti i EANA-s dhe drejtori i përgjithshëm i agjencisë gjermane të lajmeve, DPA.

Shndërrimi i takimit njëditor në një seri diskutimesh në panel online provoi të ishte i dobishëm për angazhimin midis EANA-s dhe anëtarëve të saj duke sjellë edhe forcimin e lidhjeve brenda komunitetit të organizatës.

Duke u përqëndruar në efektet e pandemisë në agjencitë e lajmeve, panelet trajtuan tema që varionin nga diversifikimi i produkteve të drejtuara nga kriza në rishqyrtimin e roleve të agjencive të lajmeve në shoqëri gjatë muajve të fundit.

”Agjencitë e lajmeve kanë provuar përsëri se ata kanë aftësinë të marrin rolin e shtyllës kurrizore për të gjithë ekosistemin mediatik. Gjatë këtyre kohërave të vështira, anëtarët tanë u rritën dhe evoluan në një mënyrë që ishte më e mira për klientët e tyre, partnerët e tyre dhe shoqëritë në tërësi, duke siguruar informacion të besueshëm, të saktë dhe të verifikuar për të gjithë”, tha Alexandru Giboi, sekretari i përgjithshëm i EANA-s./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.