EANA – Krasniqi: Covid-19, sfidat dhe zgjidhjet për tregjet e vogla mediatike

TIRANË, 31 tetor /ATSH/ – Agjencitë e lajmeve përmbushën denjësisht misionin përballë COVID-19, deklaroi drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Armela Krasniqi në video-konferencën e organizuar nga Aleanca Europiane e Agjencive të Lajmeve (EANA), ku ATSH është anëtare me të drejta të plota.

Në panelin me temë ”Pasojat e Covid-19 në tregjet e vogla të medias”, e kryesuar nga Krasniqi, e cila është edhe anëtare e bordit të EANA-s, kjo e fundit theksoi se ”pandemia Covid-19 ishte një nga shanset e fundit, por edhe më të mëdhatë që iu dha agjencive të vogla të lajmeve për të treguar aftësinë e tyre për mbijetesë në një treg të mbushur me burime të panumërta informacioni, pavarësisht të vërteta ose jo”.

”Gjithmonë kam menduar se kjo pandemi ishte si një Big Bang, që i riformatoi botës shumë fenomene dhe koncepte që deri tani i kishte konsideruar si të pandryshueshme një herë e përgjithmonë”, shtoi Krasniqi.

”Natyrisht që përballë kësaj ngjarjeje planetare, misioni i agjencive të lajmeve doli si një imperativ i kohës pikërisht për shkak të faktit se ato janë përherë përballë furisë së dezinformimit. Por, nëse agjencitë e mëdha të lajmeve kanë një infrastrukturë të jashtëzakonshme për përballimin e kësaj furie, nuk mundet që një gjë të tillë ta themi edhe për ne, për agjencitë e vogla dhe modeste të lajmeve, të cilat duhet të përballonin një fluks të jashtëzakonshëm informacioni. Aq më tepër kur ato zëvendësuan gjatë kësaj kohe edhe median print duke qenë se të gjithë ishim në lockdown”, tha ajo.

”Sido që të jetë, agjencitë e lajmeve e përmbushën denjësisht misionin përballë COVID-19. ATSH e përballoi më shumë se me sukses këtë situatë të papërjetuar më parë. Duke qenë se Shqipëria ishte një nga vendet e para në botë që vendosi masa të rrepta kufizuese, rrjedhimisht edhe ATSH-së i duhej të përgatitej shumë shpejt për ta përballuar situatën.  Një nga pikat më të forta të sigurimit të informacionit nga terreni ishin gazetarët e saj, të cilët, me një guxim të jashtëzakonshëm dhe duke respektuar maksimalisht rregullat antiCovid, arritën të siguronin informacion nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe sidomos nga spitalet Covid që u përshtatën për këtë rast në vendin tonë. Sukses të dukshëm ATSH pati në sigurimin e kronikave live, që ishin shumë të kërkuara nga tregu mediatik shqiptar”, deklaroi Krasniqi.

”ATSH tregoi edhe një herë se ishte e para në sigurimin e informacionit të besueshëm. Ajo u mbështet vetëm te informacione zyrtare, me qëllimin e vetëm për mospërhapjen e panikut në opinionin publik. Krizat e mëdha duan zgjidhje të mëdha dhe të guximshme. E gjithë sasia e informacionit të prodhuar nga ATSH ishte plotësisht i bazuar mbi fakte, i marrë në mënyrë zyrtare dhe i qëmtuar deri në detaje. Kjo solli që ATSH të kishte një rritje prej 50% në platformat e medias sociale gjatë lockdown-it”, theksoi ajo.

”ATSH shfrytëzoi edhe agjencitë e saj simotra, të mëdha e të vogla, për të informuar opinionin publik shqiptar me situatën në këto vende. ATSH nuk u kufizua vetëm me informimin e publikut për situatën e Covid-19. Ajo botoi informacione zyrtare shkencore që kishin të bënin me shpjegimin e kësaj pandemie, masat që duhej të merreshin për ta luftuar si edhe efektet e saj të shumta në ekonomi dhe në psikologjinë e njerëzve. E gjitha kjo rezultoi në rritjen e konsiderueshme të vizitorëve në faqen e ATSH-së në shqip, anglisht dhe frëngjisht”, tha Krasniqi në video-konferencën e organizuar nga Aleanca Europiane e Agjencive të Lajmeve (EANA)./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.