Bulqizë/ Rikonstruktohet shkolla 9-vjeçare e Zerqanit, merr emrin “Ismail Jangulli”

TIRANË, 29 tetor /ATSH – I. Vata/ – Bashkia Bulqizë inauguroi sot mjediset e rikonstruktuara të shkollës 9-vjeçare “Godvi” në njësinë administrative Zerqan. Kjo shkollë tashmë është e rikonstruktuar tërësisht dhe nxënësit e stafi pedagogjik do ta vijojnë procesin mësimor në kushte pothuajse tërësisht ndryshe nga ato ç’kanë qenë.

Shkolla 9-vjeçare “Godvi”  tashmë do të mbajë emrin “Ismail Jangulli”, i njohur për aktivitetin e tij në fushën e arsimit, por jo vetëm.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Ai vlerësoi figurën e Ismail Jangullit jo vetëm për kontributin në fushën e arsimit, por edhe në dimensionin shpirtëror të komunitetit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i bashkisë Bulqizë Lefter Alla u shpreh se edhe pse na presin edhe shumë sfida të tjera në fushën e arsimit, investimi në institucionet arsimore në të gjithë territorin e Bashkisë do të vijojë të jetë nga prioritetet më të rëndësishme të punës së tij. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.