Basha: 3 muaj kallëzimet penale për inceneratorët, SPAK përmes heshtjes bëhet alibi

TIRANË, 31 tetor /ATSH – I. Vata/  Kryetari i opozitës, Lulzim Basha deklaroi në konferencën për shtyp se pavarësisht se pandemia e ka zhytur vendin në një situatë katastrofike, qeveria vazhdon të japë miliona euro për inceneratorët.

Basha deklaroi sot në bashkëbisedim me gazetarët se Edi Rama lëviz si pushtues në territorin e vendit.

“Nuk besoj se as pushtuesit e Shqipërisë të kenë lëvizur kaq të ruajtur në territorin e vendit dhe nuk besoj se masa të tilla sigurie merren për shkak të COVID-it, megjithëse ky në fazat e para nxori autoblindat në Tiranë. Edi Rama e di se është bërë një barrë e papërballueshme për çdo shqiptar, për demokratë e socialistë, nga veriu në jug, në Tiranë dhe në fshatrat më të largëta. Vetëm largimi i tij është ndarja me të keqen. Vetëm largimi i tij është fillimi që presin të gjithë shqiptarët”, tha ai.

Basha shtoi se pret përgjigje nga SPAK të cilit prej tre muajsh, siç tha ai, “i kemi vënë në dispozicion faktet publikisht”.

“I kemi çuar po kështu javën e kaluar 3 kallëzime penale dhe vazhdon të heshtë. Vazhdon të heshtë duke mbrojtur me heshtje ketë aferë korruptive dhe duke u bërë përmes heshtjes një fasadë dhe alibi për vazhdimin e vjedhjes së shqiptarëve”, tha ai.

“Ku jeni me hetimet, pse nuk keni thirrur asnjë nga personat e dyshuar në këtë afër, përse nuk janë thirrur Edi Rama, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj. Çfarë ju pengon zotërinj të SPAK të veproni”, u shpreh Basha.

“Nëse prokurorët e SPAK nuk do të marrin masa, do të mbajnë dhe ata përgjegjësi. Ndryshimi që vjen nga largimi i Ramës do të çlirojë edhe SPAK nga presioni i mafias në pushtet”, tha Basha. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.