Zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla e të mesme në zonën kufitare Shqipëri-Mal i Zi përmes sistemit të garancive

TIRANË. 30 tetor/ATSH/ Sistemi i garantimit të ndërmarrjeve, është instrumenti financiar që do të përdoret për lehtësimin e kreditimit nga banka për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në zonat kufitare Shqipëri-Mali i Zi.

Për të arritur këtë qëllim po zbatohet projekti “Bashkëpunimi ndërkufitar dhe konkurrueshmëria për NVM – 3C4SME” në kuadër të programit Interreg IPA CBC Itali-Shqipëri-Mal i Zi, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian.

Mbi ecurinë e projektit u mbajt një takim në Tiranë, organizuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

Përmes këtij projekti, bëri të ditur drejtoresha e QKB-së Pranvera Fagu, do të verifikohen kushtet për t’u ofruar ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare dhe malazeze “sistemin e garantimit të ndërmarrjeve”, një instrument financiar që në Pulia dhe Molise ka lehtësuar qasjen e ndërmarrjeve në përfitimin e financimit nëpërmjet bankave, si për objektivat e rritjes ashtu dhe menaxhimit.

Eksperti Artur Ribaj, i cili kishte intervistuar 60 përfaqësues të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) nga fusha të ndryshme prezantoi gjetjet lidhur me mundësitë e tyre për aksesimin në financim. /a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.