Zhupa: Mësimi online, prova e dështimit me menaxhimin e pandemisë në Universitete

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa u shpreh sot se, mësimi online është prova e dështimit me menaxhimin e pandemisë në universitete.

“Dështim i menaxhimit të situatës së hapjes së universitete. Kosto e madhe për familjet dhe asnjë ndihmë nga shteti. Njoftimi 3 ditë përpara i mos hapjes së universiteteve tregon edhe njëherë kaosin dhe mungesën e përgjegjësisë së kësaj qeverie. Studentët kanë marrë shtëpi me qira për të jetuar në Tiranë ose kanë paguar tarifat e konvikteve për të jetuar në Tiranë. Ndërkohë që edhe vitin e shkuar akademik paguan konviktet dhe nuk i shfrytëzuan dot dhe paratë e tyre nuk u kthyen nga shteti”, tha ajo.

Sipas Zhupës, “si gjatë gjithë kësaj periudhe pandemie çdo kosto e vendimmarrjeve të qeverisë iu bie qytetarëve, në këtë rast prindërve të studentëve që me sakrifica kanë harxhuar shuma të mëdha parash për të mbajtur fëmijët në auditore dhe që nuk dihet a do iu shërbejnë më”.

“Mësimi online i vë familjet shqiptare përballë kostove të tjera, duke i bërë të paguajnë dyfish tashmë! Pagesa për internet, pagesa për një pajisje laptop ose pc që është mjet i domosdoshëm për të zhvilluar një pjesëmarrje të kënaqshme në mësimin online. Po ashtu, do paguajnë të plota tarifat e shkollimit në universitete”, theksoi ajo.

“Ndërkohë qeveria nuk ka asnjë plan mbështetjeje për studentët dhe familjet e tyre, siç nuk ka asnjë plan për përballimin e pandemisë”, shtoi Zhupa. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.