TURQI – Izmiri tronditet nga një tërmet 6,6 ballë, viktima dhe dëme

ANKARA, 30 tetor /ATSH-AA/ – Një tërmet me magnitudë 6,6 ballë të shkallës Rihter goditi brigjet e rajonit Seferihisar në qytetin Izmir të Turqisë.

Sipas informacionit në faqen e internetit të Kryesisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), theksohet se tërmeti u regjistrua në orën 14:51 me kohën lokale, me magnitudë 6,6 ballë Rihter në detin Egje, 17 kilometra nga brigjet e rajonit Seferihisar në qytetin e Izmirit.

Epiqendra e tij ishte me një thellësi 16,54 kilometra.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, duke folur në lidhje me tërmetin tha se “deri më tani në Bornova dhe Bayrakli të Izmirit janë rrënuar gjashtë ndërtesa”.

Ndërkohë, Autoriteti turk për Menaxhimin e Fatkeqësive, AFAD tha se nga tërmeti në Izmir kanë humbur jetën katër persona dhe janë plagosur 120 të tjerë.

Të paktën katër persona humbën jetën dhe 120 u plagosën nga një tërmet i fuqishëm që shkaktoi sot shembjen e disa ndërtesave në Turqinë Perëndimore, sipas një raporti fillestar, të lëshuar nga Ministria turke e Shëndetësisë.

“Fatkeqësisht, katër bashkëqytetarë humbën jetën pas tërmetit (…) Në total, 120 të tjerë  u plagosën”, tha ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca në Twitter./ / a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.