Tregtia, energjetika, industria përpunuese dhe turizmi kryesojnë kredinë për biznesin

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Biznesi dhe sipërmarrjet kanë marrë në total 101.14 miliardë lekë kredi, në tremujorin e tretë të vitit 2020, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.

Krahasuar me një tremujor më parë, vlera e kredisë për biznesin u rrit me 14.29 miliardë lekë.

Aktivitetet me peshën më të madhe të kredisë janë tregtia, energjetika, industria përpunuese dhe aktivitetet e shërbimit.

Sipas BSH-së, krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2020, dallojmë që ka një rritje më shumë se tetë herë në marrjen e kredisë për aktivitetin “Transporti dhe magazinimi”.

Rritje në kreditim kemi edhe në sektorin e “Akomodimit dhe shërbimit ushqimor” dhe “Aktiviteteve financiare dhe të sigurimit”. Luhatje negative, në termat e kredimarrjes ka pësuar “Shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale”, duke u reduktuar këtë tregues me 1.2 miliardë lekë. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.