Tërmeti në Turqi dhe Greqi/ Autoritetet shtetërore mesazhe ngushëllimi

TIRANË 30 tetor /ATSH – I. Vata/ Presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje për solidaritet njerëzor pas tërmetit që preku sot Turqinë, Greqi duke pohuar se Shqipëria do t’u gjendet pranë vendeve mike.

Meta shprehet se “thellësisht i tronditur nga tërmeti që goditi këtë mesditë ishullin grek të Samosit dhe preku rëndë edhe qytetin e Izmirit. Lëkundjet e tërmetit u ndjenë në 4 shtete, më së shumti në Turqi e Greqi, por edhe në Bullgari deri edhe në Shqipëri”.

“Ky është një moment solidariteti njerëzor dhe reflektimi për t’u qëndruar pranë familjeve të viktimave dhe autoriteteve të Turqisë dhe Greqisë për të përballuar dëmet e shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore”, thekson ai.

Po ashtu, Meta shton se “unë dhe gjithë populli shqiptar u qëndron pranë popujve miq Turk dhe Grek, me urimin për të përballuar këtë situatë të vështirë dhe lehtësuar dhimbjen familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre. Shqipëria do t’u gjendet pranë vendeve mike me të gjithë kapacitetet e mundshme të saj”.

Ruçi telegram homologëve Şentop dhe Tassoulas: Të gjithë shqiptarët, pranë popujve miq e fqinj

Pas tërmetit të fortë të ditës së sotme në Egje, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u është drejtuar me telegram Kryetarit  të Parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop, dhe Kryetarit  të Parlamentit të Greqisë, Constantine Tassoulas.

“Me tronditje mora lajmin për tërmetin shumë të fortë që goditi sot në mesditë Sanmosin, Izmirin dhe zonat përreth. Në këto çaste të rënda, Kuvendi i Shqipërisë dhe gjithë populli shqiptar, janë pranë popujve tanë miq e fqinj dhe shprehim dhimbjen e solidaritetin me qytetarët dhe familjarët e viktimave. Jam i bindur se kjo goditje e natyrës nuk do t’i gjunjëzojë fqinjët tanë, me të cilët kemi ndarë, ndajmë e do të ndajmë gëzimet dhe pasojat e fatkeqësive”, shprehet Ruçi.

Veliaj: Lutjet tona u drejtohen miqve tanë në Izmir dhe Samos

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj i shprehur solidarizimin e Tiranës me popullin turk dhe atë grek pas tërmetit që ra sot në mesditë.

Veliaj thekson se lutjet tona u drejtohen miqve tanë në Izmir dhe Samos.
“Lutjet tona shkojnë për të gjithë miqtë tanë ne Izmir dhe ishullin Samos. Tirana e njeh shumë mirë fuqinë shkatërruese të tërmeteve vdekjeprurëse. Bëhuni të forte”, shprehet Veliaj.

Basha: Kurajo dhe solidaritet me popullin dhe autoritetet e Turqisë në përballimin e kësaj tragjedie të rëndë

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka reaguar për tërmetin në Turqi duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave.

Basha shprehet se “Po ndjek me shqetësim të madh lajmet tronditëse nga Turqia. Ngushëllimet e mia më të thella janë për familjet e viktimave të tërmetit. Ju uroj shërim të plagosurve, forcë, kurajo dhe solidaritet me popullin dhe autoritetet e Turqisë në përballimin e kësaj tragjedie të rëndë”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.