Tepelena lidhet me bregdetin e Himarës/ Investimi 5.8 milionë dollarë, realizohen 70% e punimeve në aksin Kuç-Gusmar

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Vijon puna në kantierin e ndërtimit për aksin Kuç-Gusmar që lidh bashkë Tepelenën dhe Himarën, si dhe qarkun e Gjirokastrës me rrugën e Lumit të Vlorës dhe me bregdetin.

Bashkia Tepelenë bën të ditur se, me një fond prej 5.8 milionë dollarë nga buxheti i shtetit po investohet në 9.5 km rrugë të gjatë që kalon në një reliev të vështirë natyror. Deri tani janë realizuar rreth 70% e punimeve në gërmim dhe mbushje krahas ndërtimit të veprave të artit.

Investimi në këtë aks rrugor sipas standardeve më të mira, parashikon ndërtimin e 4 urave, nga të cilat njëra arrin gjatësinë edhe më të madhe prej 30 metrash dhe një tjetër 10 metra, dhe dy urat e tjera janë në gjatësi më të vogla që janë nga 6 e 5 metra gjatësi.

Aksi shoqërohet me mure masive mbajtëse pasi një pjesë e rrugës kalon në anë të shkëmbit dhe një pjesë tjetër është me mbushje. Aktualisht 5 km të kësaj rruge janë gati për shtresën e asfaltit.

Ky projekt është pjesë e “paketës së ndërhyrjeve”, ndërthurur më rrugën e Lumit të Vlorës dhe Bençë–Lekdush. Prej kohësh një domosdoshmëri infrastrukturore për të vënë në lëvizje agroturizmin në zonë, si dhe tregtinë e produkteve bujqësore e blegtorale. Dhe jo vetëm. Më pranë bregdetit dhe më pranë shërbimeve kryesore në qendrat përkatëse të bashkive.

Natyra që shoqëron të gjithë këtë aks është një eksplorim më vete i turizmit malor, sepse jugu nuk ka vetëm plazhin e bukur.

Ky aks rrugor ndihmon në zhvillimin e zonës si për potencialin e saj turistik ashtu edhe për tregtarët e zonës për të shitur produktet e tyre që prodhojnë. Kjo rrugë është një premtim i bërë për shumë dekada, por që vetëm sot u bë realiteti.

Aktualisht nga punimet është bërë pjesa me e rëndësishme e punimeve dhe janë ende dy ura, ndërsa në prill të 2021 kjo rrugë do të jetë ekzistuese që rastis me fillimin e sezonit të ri turistik vitin tjetër që do japë dhe një zhvillim të ri ekonomik. Tashmë udhëtimi nga Tepelena në Himarë do të kryhet për një orë. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.