Takimi me 12 drejtoritë rajonale/ Skënderi: Angazhim maksimal në garantim të sigurisë ushqimore

TIRANË, 31 tetor/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Bledar Skënderi gjatë takimit të sotëm me krerët e 12 drejtorive rajonale të AKU-së, pranë Drejtorisë së Përgjithshme, kërkoi angazhim maksimal të të gjitha drejtorive rajonale, në garantim të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve.
Krahas kontrolleve për të garantuar sigurinë e produkteve ushqimore, Skënderi theksoi rëndësinë edhe të këshillimit të bizneseve, duke vepruar brenda kuadrit ligjor.
Gjatë takimit Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së u kërkoi drejtorëve rajonalë që të gjithë operatorët e biznesit duhet tashmë të pajisen me etiketë konform VKM-së së re të etiketimit, duke shtuar se ky proces duhet të shkojë drejt përfundimit, për produktet të cilat janë hedhur në treg, pas hyrjes në fuqi të kësaj VKM-je.
Rëndësia e mbjelljeve të kulturave të vjeshtës, ka bërë që të intensifikohet kontrolli për treguesit cilësorë të farërave dhe produkteve plehëruese që përdorën për mbjelljen e këtyre kulturave, prandaj marrja e mostrave për analizim në të gjithë operatorët që ushtrojnë këto aktivitete, padyshim do të rrisë sigurinë e kulturave të vjeshtës, u shpreh drejtori i AKU-së.
Gjithashtu Skënderi shprehu mbështetjen e tij për të gjithë trupën e AKU-së pjesë e taskforcës antiCovid, e cila monitoron pandërprerë me këshillime në zbatim të protokolleve të sigurisë, në biznese, ashtu edhe për qytetarët në mbajtje të detyruar të maskës për mosshpërndarjen e koronavirusit të ri./k.s/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.