Situata nga COVID/ Rama: Qasje destruktive dhe brutale e atyre që sot janë në stolin e rezervave

TIRANË, 30 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot te situata e pandemisë me të cilën po përballet vendi, ndërsa nënvizoi “qasjen destruktive dhe brutale të verbërisë të atyre që janë në stolin e rezervave të politikës shqiptare”.

Rama tha se në pak muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, Shqipëria po përballet edhe me COVID-19, situatë që po vendos në vështirësi vende shumë më të zhvilluara. “Shfaqja e armikut të padukshëm po sprovon të gjitha qeveritë e planetit në aspektin e qeverisjes, dijes dhe atë financiar. Janë dy goditje njëra pas tjetrës që sot mund ta them me plot gojën askush tjetër, duke marr parasysh që e dimë se kush janë aktorët dhe faktorët në dispozicion në stolin e rezervave të politikës shqiptare, nuk do të mundej dot t’i rezistonte. Ne po i rezistojmë me forcë, me durim dhe me sukses ditë pas dite”, tha Rama.

Sipas tij, “COVID mund ta kishte përmbysur krejtësisht gjithçka dhe mund të kishte detyruar Shqipërinë të futej në një gjendje thjesht mbijetese të përditshme duke i lënë mënjanë të gjitha planet e së nesërmes dhe duke harruar madje se ka të nesërme, shtyje ta shtyjmë çdo ditë”.

“Në fakt njerëzit dëgjojnë përditë se kjo është ftesa që na bëhet nga ana e atyre që janë në stolin e rezervave dhe duan të rikthehen në krye të punëve të vendit, të cilët insistojnë dhe insistojnë me këmbënguljen e atyre që nuk shohin dot përtej hundës së vetë, përtej të sotmes dhe nuk kanë asnjë vizion për të nesërmen se, ne duhet t’i shpenzojmë të gjitha, gjithçka kemi për të përditshmen, duke shtyrë çdo ditë në emër të lloj-lloj teorive dhe ekspertëve. Si ai që u shfaq dje si një ekspert kombëtar, si një mjek që duhej dëgjuar me gojë hapur, dhe u prezantua para popullit shqiptar nga vetë ai që duhet të jetë kryeministri i vendit, në fakt ishte një infermier. Një infermier nuk mund të japë mend për një situatë si kjo e COVID, ku siç e shohim janë marrë mendje të shkencës botërore e qeverive më të fuqishme të botës”, tha Rama.

Sipas tij, “është një tragjedi më vete kjo qasje destruktive dhe brutale e verbërisë të atyre që fatkeqësisht nuk i kemi përballë, por i kemi mbrapa dhe kërkojnë të na tërheqin mbrapsht me lloj-lloj marrëzish që mishërohet e gjitha në figurën, zërin dhe gjestin e Kryemadhit, e cila bën thirrje të shkojmë në kisha e xhamia dhe të mos besojmë te rreziku i këtij virusi, që sipas saj, nuk ekziston”.

Nga ana  tjetër, Rama tha se “kryetari i opozitës çdo ditë është i fiksuar se ne nuk duhet të paguajmë për mbetjet e Tiranës, por duhet ta lëmë Tiranën të mbytet nga plehrat”. “Në mënyrë hileqare, por edhe si rrjedhojë e paaftësisë për të parë përtej hundës së vet, u thotë përditë shqiptarëve se ne po japim para nga buxheti për një mafie të inceneratorëve”, tha Rama.

Ndërkohë, Kryeministri siguroi se “ne po kurojmë me shumë durim dhe punë ditë-natë, tërmetin dhe po përballemi me këtë armik të padukshëm duke mos i lënë gjë mangut njerëzve që kanë nevojë për kujdes shëndetësor”.

“Basha thotë se këto para duhen shpërndarë dhe në fund të mbetemi në të njëjtën gropë ku ai dhe partia e tij e çuan Shqipërinë jo një herë, por dy herë. Një herë në fund të gropës me piramidat dhe njëherë në buzë të gropës me qeverisjen që fatmirësisht e mbylli aventurën e vetë në 2013”, shtoi Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.