Shpenzimet buxhetore garantojnë stimuj pozitivë për rritjen ekonomike të vendit

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Shtimi i financimit për disa sektorë prioritarë, si arsim, shëndetësi, infrastrukturë, bujqësi, rindërtim, pritet të garantojë stimuj pozitivë për rritjen ekonomike të vendit duke gjeneruar njëkohësisht punësim të qëndrueshëm.

Kështu u shpreh ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë prezantimit të zërit të shpenzimeve të projektbuxhetit 2021, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.

“Shpenzimet buxhetore për këtë vit janë programuar në nivelin e 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB, me rritje në terma nominalë me rreth 8 miliardë lekë krahasuar me Aktin Normativ të Buxhetit të vitit 2020, do të vijojnë të mbështesin sektorët prioritarë si: arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, si dhe mbështetjen e plotë të procesit të rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit, tha Denaj, duke shtuar, se të marra së bashku këto shpenzime garantojnë stimuj pozitivë për rritjen ekonomike të vendit në periudhën 2021-2023 e përtej duke gjeneruar njëkohësisht punësim të qëndrueshëm”.

Ministrja informoi deputetet, se shpenzimet e personelit për vitin 2021, të parashikuara në masën 92.1 miliardë lekë ose 5.5% e PBB, reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave për dy sektorët prioritarë shëndetësi dhe arsim.

Fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 8 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 40% për punonjësit shëndetësor, me një vlerë prej 4.5 miliardë lekë dhe rritjen e pagës për funksion me 15% për punonjësit mësimor të sistemit arsimor parauniversitar me një vlerë prej 3.5 miliardë lekë.

Nga kjo politikë e re e rritjes së pagave, tha Denaj, përfitojnë 4,650 mjekë në kujdesin parësor dhe dytësor, 13,765 infermierë dhe laborantë, si dhe 35,883 mësues të arsimit parauniversitar.

Gjithashtu, shtoi Denaj, si politikë e re për vitin 2021 është miratuar dhe një fond prej 1 miliard lekësh në formën e skemës së mbështetjes së fermerëve përmes përjashtimit të karburantit për prodhim bujqësor nga akciza, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit.

Një ndër zërat e rëndësishëm janë dhe investimet publike që për vitin 2021 janë planifikuar në masën 7.2% e PBB ose 120.6 miliardë lekë, përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 28 miliardë lekë.

Kjo shifër është dukshëm më e lartë se vlera prej 87.8 miliardë lekë e parashikuar në Aktin Normativ të buxhetit të vitit 2020.

Ministrja sqaroi për deputetët, se në planifikimin e investimeve për vitin 2021 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu, si edhe në vitin 2020, dhe në vitin 2021 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim./a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.