Ruçi falenderon Sekretarin Pompeo: Çmojmë lart bashkëpunimin me SHBA kundër Antisemitizmit

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ “Shqipëria do ta përmbushë misionin për ta shndërruar luftën kundër Antisemitizmit në çështje të të gjithë rajonit”.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i dërguar një letër falenderimi Sekretarit të Shtetit,  Michael R. Pompeo, për pjesëmarrjen dhe mesazhet në Forumin Ballkanik Kundër Antisemitizmit, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në partneritet me Lëvizjen Kundër Antisemitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë të Izraelit, më 28 tetor.

“Dëshiroj t’Ju shpreh mirënjohjen time, të Kuvendit të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, për pjesëmarrjen dhe videomesazhin Tuaj në Forumin Ballkanik Kundër Antisemitizmit, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në partneritet  me Lëvizjen Kundër Antisemitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë të Izraelit, më 28 tetor 2020”, është shprehur Ruçi.

Ne, shqiptarët, ka vijuar Kreu i Kuvendit, “jemi krenarë që për rreth dymijë vjet të historisë sonë kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera me hebrenjtë dhe i kemi mbrojtur ata në momente të vështira të historisë së tyre. Ne sot çmojmë lart bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, hebrenjtë dhe Shtetin e Izraelit, në qëndrimet dhe përpjekjet tona të përbashkëta kundër Anti-Semitizmit”.

“Siç theksuat edhe Ju në fjalën tuaj, ne jemi sot bashkë “sepse fatkeqësisht antisemitizmi është ende i pranishëm. Ne kemi përgjegjësinë, si dhe ata para nesh, ta mundim atë dhe mund ta bëjmë. Së pari, duhet ta përcaktojmë këtë kërcënim dhe ta kuptojmë qartë atë”, ka shkruar Ruçi.

“Forumi i parë Ballkanik Kundër Antisemitizmit si edhe Rezoluta “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për Antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në prag të Forumit, më 22 tetor 2020, janë një lartësim prej Kuvendit të Shqipërisë, i ndjenjave e qëndrimeve të njohura botërisht të popullit shqiptar për mbrojtjen e hebrenjve si edhe një kontribut në shndërrimin e Shqipërisë në një lider rajonal të frontit të bashkuar të luftës kundër Antisemitizmit, racizmit, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, ka theksuar Ruçi.

“Lufta kundër Antisemitizmit nuk mbron vetëm një komb, por është pjesë e projektit të njerëzimit për një botë me mirëqenie, siguri, paqe e drejtësi”, ka thënë Ruçi.

“Dëshiroj t’ju siguroj se Shqipëria do ta shpier deri në fund misionin e saj për ta shndërruar luftën kundër Anti-Semitizmit në çështje të të gjithë rajonit. Duke e merituar për të qenë në krye të këtij fronti, ne afirmojmë identitetin e vlerat tona europiane, qytetëruese e perëndimore”, shprehet Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në letrën e falenderimit, dërguar Sekretarit të Shtetit Pompeo. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.