Rindërtimi/ Financim masiv nga buxheti i shtetit, ende asnjë fond nga Konferenca e Donatorëve

TIRANË, 30 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ne kemi vënë në dispozicion një financim masiv nga buxheti i shtetit për Rindërtimin, ndërkohë që asnjë kokërr leku nuk është marrë akoma nga Konferenca e Donatorëve, për arsye të procedurave”.

Duke iu përgjigjur të gjithë atyre që flasin për vonesa në procesin e rindërtimit, Rama tha se edhe pse nuk është bërë akoma viti nga 26 nëntori i shkuar ndërkohë ne faktikisht kemi vënë në dispozicion një financim masiv nga buxheti i shtetit”.

“Gjithçka që shikoni deri më sot, shkolla, kopshte, çerdhe, shtëpi, infrastrukturë, lagje është nga buxheti i këtij shteti. Asnjë kokërr leku nga pjesa tjetër e Konferencës së Donatorëve, për arsye të procedurave nuk e kemi marrë. Asnjë kokërr leku nga ato fonde nuk do të vijnë te ne, por do të administrohen nga vetë donatorët”, shtoi Rama.

“Natyrisht na takonte ne të ecnim më shpejt dhe kemi ecur më shpejt. Shikojeni Italinë, fuqia e 5 ekonomike e botës. Nuk dua të bëj asnjë krahasim pexhorativ por ka që në 2016 tërmeti në Amatrice dhe që në 2009 në Aquila dhe sot që flasim flitet akoma për fillimin e shumë kantiereve se janë procese tmerrësisht të komplikuara”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se njerëzit duhet ta kuptojnë se nuk fillon një punë kur vjen këtu me ekskavator. “Kështu i fillonte Saliu, ec para se kemi votimet pastaj ngeleshin rrugët rrugëve pa projekte, fonde, studime. E la Rrugën e Kombit pa asnjë lidhje për shumë komunitete atje me rrugën kryesore e pa gjithë ato ura dhe pa standardet e sigurisë. Një rrugë që u la rrugëve. Vepra e vetme që vjen era rrugë me standarde ndërkombëtare nga të gjitha ato që nisi se për të bitisur nuk ka bitisur asnjë. Kur thotë ne bëmë 10 mijë km rrugë njëlloj si shumëzim hiperbolik. Asnjë rrugë dhe të gjitha për t’u riparë nga e para”, tha Rama.

Ndërkohë kryeministri theksoi se “me rindërtimin puna më e madhe ka qenë gjithë puna për verifikimet me inxhinierë, procesverbale pastaj për përputhjen e të gjithë situatës me dokumentet”.

“Sot që flasim, një grup familjesh, qindra në total, ose janë jashtë dhe ne vazhdojmë i kërkojmë me telefona me bashkitë për të marrë dëmshpërblimin dhe për të filluar punën, ose kanë ankesa prapë për nivelin e dëmit”, tha Rama.

Paralelisht me këtë, Rama tha se janë bërë masterplanet për lagjet e reja, është punuar me projektet dhe tani vjen faza e zbatimit.

“E njëjta gjë për Kombinatin. Javën e ardhshme hyn në proces të garës dhe ndërkohë janë bërë gati të gjitha. Është një lagje tjetër atje e re nga e para dhe gjithë ajo lagje e vjetër do të fshihet nga faqja e dheut se e dëmtoi tërmeti dhe do të ndërtohet lagje e re me kushte të tjera. “5 maji”, Kombinati, zona e Kampusit tek Universiteti Bujqësor ose dhe lagjja tek Autotraktorët nuk do jenë 4 periferi, por do të jenë 4 qendra graviteti në 4 anët e Tiranës. Këtu do të ndërtohet Ecole 42, një shkollë e gjeneratës më të fundit e konceptuar në Francë për teknologjinë e inovacionin. Natyrisht ne do të ndërtojmë godinën dhe pastaj do të marrim dijen e kurrikulat nga Franca. Do vendosen tatimet e doganat në këtë zonë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se rindërtimi është proces historik dhe lagjet e reja janë pika referimi si duhet ndërtuar e ardhmja deh si duhen konceptuar territoret e reja urbane, si duhen krijuar kushtet për njerëzit dhe si nuk duhen ndarë njerëzit në të pasur e të varfër. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.