Rama publikon videon: Oferta fituese për demokratët, “Jepja Lulit e merr Monikën me gjithë Ilirin” dhe bota është e jotja


TIRANË, 30 tetor/ATSH/ “Oferta fituese për demokratët ‘Jepja Lulit e merr Monikën me gjithë Ilirin!’ dhe bota është e jotja”. Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa ndau një video ku paraqitet sjellja që kanë lidhur me pandeminë e COVID-19, Presidenti Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Në një kohë kur Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu me kërkesën për të shqyrtuar masat e marra ndaj COVID-19, në video duken pamje filmike të vetë Presidentit në një ambient ku nuk respektohen masat antiCOVID.

Veçanërisht pas shkeljes së njëanshme dhe brutale të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit, është shprehur Meta në letrën dërguar ministres Manastirliu, situata e pandemisë pritet të përkeqësohet.

Ndërkohë në deklaratat e saj në vijimësi, Kryemadhi e ka pranuar se nuk e njeh COVID,

“Unë nuk e njoh COVID. Unë mendoj se çështja e koronavirusit është një konspiracion. Është një konspiracion, i cili synon një riformatim ndryshe të botës, të ekonomisë. Shqipëria në gjithë këtë botë të madhe është një pikë në oqean”, është shprehur më herët Kryemadhi.

Ashtu siç është shprehur në intervista televizive, Kryemadhi beson se “fatin e secilit nga ne nuk e ka as qeveria as politika, fatin e secilit nga ne e ka në dorë Zoti, sepse ka pasur epidemi edhe më përpara kur s’ka pasur as armë, as mjete, por njerëzit shkonin nëpër kisha, nëpër xhamia, faleshin”.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.