Rama bisedon me presidentin e KE-së/ Michel: Presim me padurim Konferencën e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bisedë online me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel me të cilin kanë folur për Konferencën e Parë Ndërqeveritare Shqipëri – BE, planin europian të Investimeve në rajonin e Ballkanit, ecurinë e Shengenit Rajonal dhe tematikën e konflikteve në zonën e OSBE-së.

“Një bashkëbisedim si gjithnjë miqësor, i hapur, interesant me Presidentin e Këshillit Europian dhe mikun e çmuar, Charles Michel, një mbështetës i pakursyer i integrimit europian të Shqipërisë e të Ballkanit Perëndimor. Folëm për Konferencën e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, si hap domethënës në rrugën drejt anëtarësimit pas çeljes së negociatave; Planin Europian të Investimeve në rajonin tonë; ecurinë e Shengenit Rajonal dhe tematikën e konflikteve në zonën e OSBE-së”, theksoi Rama.

Ndërsa Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel gjatë bisedës telefonike me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, ka shprehur padurimin për konferencën e parë ndërqeveritare që do të mblidhet pas miratimit të kornizës së negociatave.

“Mirëpres angazhimin për reformat e BE-së dhe zbatimin e tyre. Solidariteti i ndërsjellë gjatë COVID-19 ka përforcuar më tej marrëdhënien BE-Shqipëri”, ka theksuar Michel.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.