Projektbuxheti 2021 / Lleshaj: Nevojitet trajtim financiar për punonjësit e Policisë së Shtetit

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë diskutimit në Komisionin e Sigurisë, të projektbuxhetit 2021 për këtë ministri, kërkoi rritje apo trajtim financiar për punonjësit e Policisë së Shtetit.

Lleshaj tha se ashtu si mjekët, edhe ata janë përballur me pandeminë që nga dita e parë e saj duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët.

“Pandemia është përballuar nga dy lloj bluzash, bluzat e bardha dhe bluzat blu. Policia e Shtetit ka qëndruar nga dita e parë, jashtë në rrugë, në pikat e kalimit kufitar, duke u përballur pandeminë. Nëse do kishte hapësirë do duhet të kishte një rritje apo trajtim financiar për këtë kategori, aq sa do të ishte e mundur”, tha ministri.

Po ashtu ai renditi sektorët që kanë më shumë nevoja për investim në Polici dhe Ministrinë e Brendshme.

“Një pjesë të të ardhurave që sigurohen nga gjoba do të përdoren për të përmirësuar sigurinë rrugore. Kjo përdoret në shumë vende të botës. Pandemia dhe tërmeti kanë ndikuar në buxhetin e Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit do të ketë ngarkesë të madhe në vitin 2021 edhe për shkak të vitit zgjedhor. Sa i përket investimeve qeveria vjen në Kuvend me një buxhet të reduktuar për Ministrinë e Brendshme. Investimet do të jenë me financim të brendshëm. Kemi nevoja të mëdha për laboratorin shkencor të Policisë së Shtetit për shkak se nga aty gjenerohen provat shkencore për të gjithë proceset penale. Ne po punojmë me partnerë dhe donatorë. Do duhet që financimi të kombinohet. Ka një investim për kampusin qendror të Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit ka nevojë për një sistem komunikimi modern”, tha ai.

Po ashtu, Lleshaj tha se “kampusi qendror i Policisë së Shtetit është projekt i madh”. “Kemi nevojë për drone, jemi shtet me polici të vogël. Ndërtimi i një qendre trajnimi për struktura të brendshme. Vendi ynë është një vend që ende që ende sfidohet nga krimi i organizuar dhe emigracioni. Na duhet të shtojmë kapacitetet. Komisariatet kanë nevoja të mëdha për investim dhe ne kemi hartuar projektet dhe presim financim”, shtoi ai. /m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.