Nga nëntori ndalohet për 5 muaj peshkimi i koranit në liqenin e Ohrit

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Duke nisur nga data 11 nëntor 2020 deri më 1 mars 2021, do të ndalohet peshkimi i koranit në liqenin e Ohrit.

Urdhri i Ministrisë të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është botuar në Fletoren Zyrtare dhe “përcakton se çdo mjet gjuetie peshku i kapur nga organet e monitorimit dhe kontrollit gjatë kohës së ndalimit të gjuetisë së peshkut, të sekuestrohet”.

Në këto 5 muaj do të lejohet vetëm peshkimi i riprodhuesve të koranit për qëllime të grumbullimit të vezëve deri në 200 kg, të cilat do të shtrohen për inkubim në impiantet e Qendrës së Prodhimit të Rasateve të Koranit në fshatin Lin të Pogradecit. Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës (DSHPA) të koordinojë veprimtarinë organizative, teknike dhe financiare me Qendrën e Prodhimit të Rasateve të Koranit në fshatin Lin të Pogradecit, për gatishmërinë e marrjes së vezëve të koranit, shtrimit dhe trajtimit të tyre për inkubim.

“Peshku pas marrjes së materialit biologjik për riprodhim, do të peshohet dhe pas markimit do të lëshohet i gjallë në vendet e përshtatshme në liqen. Peshimi, markimi e lëshimi i riprodhuesve të koranit, do të kryhet në prani të komisionit në përbërje të cilit do të jenë përfaqësues nga DSHPA-ja, OMP Pogradec, Qendra e Rritjes së Rasateve të Koranit, si dhe të Projektit GEF–SGP që do të mbulojë shpenzimet financiare të pagesës së riprodhuesve të lëshuar në liqen. Ndërsa shpenzimet e pagesës së materialit biologjik (vezëve), karburantit që shpenzohet për grumbullimin dhe transportimin e vezëve të koranit dhe shpenzimet e tjera që kanë të bëjnë me këtë aktivitet do të mbulohen nga buxheti i DSHPA-së”, bëhet e ditur në urdhrin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

“Veprimtaria e grumbullimit të vezëve, do të kryhet e organizuar nën drejtimin e DSHPA-së, në varësi të së cilës është Sektori i Kontrollit e Monitorimit të Peshkimit, Qendra e Prodhimit të Rasateve të Koranit në fshatin Lin të Pogradecit, të cilat në bashkëpunim me OMP-në Pogradec, të përcaktojnë dhe aktivizojnë për këtë qëllim 40 peshkatarë me përvojë, anëtarë të kësaj OMP-je”, thuhet në urdhër.

Për ndalimin e gjuetisë të koranit në liqenit e Ohrit Ministria e Bujqësisë ka kërkuar edhe bashkëpunimin me strukturat e qeverisjes vendore Pogradec, Komisariatin e Policisë, Policinë Tatimore, Drejtorinë Rajonale të AKU-së Korçë. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.