Ndihma juridike falas/ 3 qendra të reja në Gjirokastër, Shkodër dhe Peshkopi

TIRANË 30 tetor/ATSH – I. Vata/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se Ministria e Drejtësisë do të mundësojë hapjen dhe administrimin edhe të 3 qendrave të reja në qytetin e Gjirokastrës, Shkodrës dhe Peshkopisë për dhënien e ndihmës juridike falas.

“Ligji ‘Për Ndihmën Juridike të Garantuar nga Shteti’, solli një reformim të thellë të sistemit të ndihmës juridike duke nxitur një frymë të re sa i përket organizimit, funksionimit, ofrimit të ndihmës juridike të garantuar nga shteti falas për të gjitha kategoritë, të cilat për shkak të kushteve në të cilat ndodhen e kanë të pamundur sigurimin e këtij shërbimi”, bëri të ditur Gjonaj përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

Gjonaj shton se “objektivi madhor i Ministrisë së Drejtësisë është shtrirja e shërbimit të ndihmës juridike në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Për këtë qëllim, po punojmë pandalur për të vijuar me hapjen e  qendrave edhe në të tjera qytete duke garantuar kështu mbulimin e sa më shumë zonave me shërbime të ndihmës juridike parësore, ne kuadër dhe të hartës së re gjyqësore”.

“Në bashkëpunim me donatorët dhe sidomos me mbështetjen e Qeverisë dhe fondeve buxhetore, shumë shpejt Ministria e Drejtësisë do të mundësojë hapjen dhe administrimin edhe të 3 qendrave të reja në qytetin e Gjirokastrës, Shkodrës dhe Peshkopisë”, thekson ajo. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.