“Moszbatimi i masave mund të ndikojë në përkeqësimin e situatës në spitale”/ Rama: Basha nxori nga konteksti fjalët e Manastirliut

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se kreu i Partisë Demokratike ka nxjerrë nga konteksti fjalët e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dje në Kuvend.

“Sot Lulëzim Basha nxori nga konteksti i fjalës së Ministres së Shëndetësisë, shprehjen e shqetësimit të saj për se si mosmarrja e masave individualisht nga çdo qytetar, mund të ndikojë në përkeqësimin e situatës në spitale, ku largqoftë, mund të arrihet në pikën ku arritën gjatë valës së parë spitalet e disa vendeve shumë më të zhvilluara, që zgjidhnin se kë mund të pranonin e kë jo nga mungesa e shtretërve”, u shpreh Rama.

“Sipas Lulëzim Bashës, i cili e ka lëshuar krejt frerin e gjuhës dhe vetëm shan, shpif, akuzon e abuzon, në një përpjekje të dëshpëruar për të rikuperuar imazhin e tij që vetëm degradon çdo ditë prej paaftësisë, mendjelehtësisë e përgjumjes kronike, Ogerta Manastirliu, “kjo kriminele e pashpirt”, paska thënë që pacientët do u përzgjidhkan se “kush do kurohet e kush jo!””, theksoi Rama.

“As e ka thënë, as nuk ka dashur të thotë tjetër gjë nga ajo që ka thënë dhe themi përditë: o njerëz mbroni veten dhe të tjerët, se vende shumë të forta se ne kanë gjetur belanë me këtë mortje!”, u shpreh Rama

“Lulëzim Basha, Monika Kryemadhi, Ilir Meta, tanimë krejt njësoj si famëkeqi Sali, nuk pyesin më se çfarë nxjerrin nga goja, mjafton që ajo çfarë thonë të jetë sa më e zezë, sa më e pistë, sa më e ulët për veshët e publikut, sepse ata janë në situatën e të mbyturit që kërkon me çdo kusht të të marrë me vete”, tha Rama.

Kryeministri Rama solli deklaratën e Bashës gjatë një konference për shtyp ku ai shprehet: “Dhe tani vjen pjesa më kriminale e gjithë kësaj sjelljeje. Mbrëmë gjatë punimeve të parlamentit e dëgjuat ministren e Shëndetësisë që tha do të zgjedhim kush do të trajtohet dhe kush nuk do të marrë trajtim. E dëgjuat besoj apo jo? E dëgjuan të gjithë shqiptarët tek e tha me zë dhe me figurë. Do të zgjedhim kush do të trajtohet dhe kush nuk do të marrë trajtim”.

Sipas videos së publikuar në ERTV, kjo është një e pavërtetë e madhe. “Fjalitë që dëgjuat nga goja e Lulëzim Bashës nuk janë thënë kështu nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Nuk janë të vërteta as titujt dezinformues që përhapin portalet e Partisë Demokratike sipas të cilëve, Manastirliu ka thënë se në rast mbingarkimi të spitaleve do të përzgjedhim se kush do të kurohet”, thuhet në video.

Në video publikohet edhe deklarata e vërtetë e ministres së Shëndetësisë, Manastirliu e cila thotë se: “Nuk duhet të shkojmë në mbingarkimin e sistemit shëndetësor ndaj masat që jemi duke ndërmarrë, qoftë për sa i përket parandalimit, qoftë për sa i përket izolimit nëpërmjet testimit dhe gjurmimit, qoftë për sa i përket kapaciteteve spitalore shkojnë në këtë drejtim. Të frenojmë epideminë nëpërmjet zbatimit të rregullave. Të mundemi të trajtojmë çdo qytetar në spitalet tona, duke mos i lënë asgjë mangët një trajtimi të mirëfilltë siç po ndodh sot. Sepse nëse do të kemi një mbingarkesë të spitaleve do të përballemi me vështirësi, do të përballemi me zgjedhje se kush do të trajtohet i pari. Ashtu sikurse vende të zhvilluara janë përballur kur ka patur pikërisht flukse të rasteve në spitale”.

“Pra siç mund të kuptohet, Lulzim Basha dhe të vetët kanë bërë fije-fije disa fjali të Manastirliut, e cila në fakt po u bënte thirrje qytetarëve që të ndërgjegjësohen për zbatimin e masave antiCOVID. E ndërsa ministrja e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të kujdesen për jetën e tyre, Lulzim Basha dhe Partia Demokratike e kanë mendjen sërish për të përhapur panik përmes të pavërtetave dhe për të vënë interesin e politikës së ditës përmbi shëndetin e shqiptarëve. E vetmja sëmundje nga e cila Partia Demokratike nuk po gjen dot kurim dhe shpëtim është sëmundja ngjitëse e shpifjes në trenin e vjetër të të pavërtetave shurdhuese”, theksohet në videon e publikuar nga Kryeministri Rama.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në reagim ndaj kryeministrit Edi Rama u shpreh se, “i ka lënë shqiptarët të vetëm përballë krizës shëndetësore dhe asaj ekonomike”.

“Edi Rama nuk zhgënjeu edhe sot! Është gjithmonë gati për të mbrojtur krimin dhe korrupsionin. Sa më shumë përkeqësohet situata e pandemisë, aq më jashtë realitetit shfaqet Edi Rama dhe aq më i zellshëm është në mashtrime dhe videomontazhe. Përpiqet të mashtrojë shqiptarët se nuk panë atë që panë dhe nuk dëgjuan atë që dëgjuan nga Ministrja e tij e Shëndetësisë: “Nëse kemi mbingarkesë në spitale, do të përballemi me zgjedhjen se kush do të trajtohet i pari”, u shpreh Bardhi.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.