Meta: Pa ligjin për referendumet, asgjë e mirë për Shqipërinë

TIRANË 30 tetor/ATSH – I. Vata/ Presidenti Ilir Meta ka marrë pjesë sot në tryezën e organizuar nga Qendra për Çështje të Informimit Publik INFOÇIP, me temë “Nisma Kombëtare për Referendumin”.

Në fjalën e tij, Presidenti Meta tha se asgjë e mirë, e qëndrueshme, afatgjatë, europiane nuk do të ndodhë në Shqipëri pa u miratuar ligji për referendumet.

“Edhe pa u bërë një ndryshim në Kushtetutë që Kushtetuta nuk mund të ndryshohet kurrsesi as nga 140 deputetë të ligjshëm, por çdo ndryshim duhet bërë me referendum. Ne besoj se pas 22 vitesh të kemi arsye t’i besojmë çdo politikani përfshirë edhe presidenti aktual”, tha Meta.

Ai tha se referendumi është mjeti më i sigurt për konsultimin dhe vendimmarrjen e qytetarëve, treguesi i demokracisë së drejtpërdrejtë dhe i gjithëpërfshirjes, i dëgjimit real të zërit të shumicës dhe të vullnetit të tyre të pamanipulueshëm.

“Kjo vendimmarrja për referendumet i është mohuar shqiptarëve prej 22 vitesh në mënyrë më antikushtetuese të pabesë dhe jam i kënaqur që kjo nisëm kombëtare për referendumet shoqërohet dhe nga një projektligj për referendumet. Vete Kushtetuta jonë u miratua 22 vite më parë, drejtpërdrejt me referendum nga populli, ndaj në këtë mishërohen aq qartë vlerat më të mira shoqërore dhe parimet më demokratike që do udhëheq qeverisjes në një shtet të së drejtës të sundimit të ligjit, demokratik e social ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara të mbrojtura dhe të patjetërsueshme”, tha ai.

Meta shtoi se “miratimi i Kushtetutës në vitin 1998 ishte konsensual se mori votëbesimin e popullit. Për fat të keq ku votëbesim është prodhuar disa herë për gjatë këtyre dy dekadave me ndryshime kushtetuese të nxituara, të pakonsultuara të udhëhequra nga interesa politike afatshkurtra. Rasti i parë apo precedenti parë ishte ai i viti 2008 i cili i dha një goditje në zemër sistemi parlamentarë dhe na çi këtu ku jemi sot nga demokracia parlamentare në demokracinë e kryetarëve dhe të oligarkëve. Kjo është arsyeja pse dje 97 deputetë refuzuan apelin e Bashkimit Europian dhe votuan për bllokimin e çeljes së negociatave. Rastin e fundit të shkeljes së kushtetutës e kemi të freskët, ku vetëm para 4 muajsh ku ndryshimet kushtetuese në kundërshtim të asaj që vetë kushtetuta detyron, u ndërmorën pikërisht gjatë kohës së zbatimit të masave të imponuara nga gjendja e fatkeqësisë natyrore”.

“Prej 20 muajsh ne kemi një parlament monopartiak ku populli nuk është i gjithëpërfaqësuar, pasi nga 140 deputetë që kërkon vetë Kushtetuta kemi 122 formalisht. Për sa i takon legjitimitetit, është një çështje tjetër. Prej 32 muajsh ne nuk kemi Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe praktikisht kur mungon Gjykata Kushtetuese nuk ka një Kushtetutë efektive”, tha ai. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.