Mazniku: 599 shtëpi të dëmtuara nga tërmeti po rindërtohen aktualisht në Tiranë

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Zv.kryetari i bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku në një intervistë televizive u shpreh se aktualisht janë në ndërtim 599 shtëpi të dëmtuara nga tërmeti në Tiranë.

Sipas tij, ky proces ka hapur vende pune për 15 mijë qytetarë.

Në lidhje me afatet se kur do të rindërtohen shtëpitë individuale, Mazniku tha se, “çdo deklaratë e kryeministrit është e qartë që pjesa më e madhe e banesave individuale të jenë gati në fund të këtij viti”. “Dhe ky ka qenë në mënyrë të vazhdueshme angazhimi. Një pjesë e tyre duhet të ishin  gati gjatë mesit të këtij viti. Dhe ne tashmë që gjatë muajve korrik-gusht kemi një pjesë të banesave që u janë dhënë banorëve”, tha ai.

Por, shtoi Mazniku, “sot që po flasim kemi mbi 599, pra pothuajse 600 banesa individuale në qytetin e Tiranës, të cilat janë në vijim të punimeve. Një pjesë e tyre janë të avancuara, do të mbarojnë punimet për punë javësh. Një pjesë, pak më tej e me radhë. Për një pjesë të madhe të këtyre banesave do jetë e mundur të mbarohen punimet brenda këtij viti ashtu siç ka qenë në fakt angazhimi ynë për këtë çështje”.

I pyetur se sa është fondi që po përdoret për procesin e rindërtimit në kryeqytet dhe a është pjesë e granteve të dhëna nga Konferenca e Donatorëve apo nga buxheti i shtetit, Mazniku tha se, “pjesa më e madhe e financimeve deri sot për procesin e rindërtimit janë para nga buxheti i shtetit”.

“Pjesa më e madhe e donatorëve ndërkombëtarë janë duke menaxhuar fondet në mënyrë të drejtpërdrejtë. BE fondin e tij po e menaxhon vetë nëpërmjet Kombeve të Bashkuara të cilat janë duke riparuar në Tiranë 13 shkolla. Fondi italian gjithashtu po menaxhohet prej tyre. Fondi gjerman prej KfW. Fondi francez nëpërmjet agjencive franceze e kështu me radhë”, u shpreh Mazniku.

“Pjesa më e madhe e financimeve të Rindërtimit janë në 4 programe. Pra, kemi së pari, programin e granteve për objektet e dëmtuara në mënyrë të vogël, nga niveli DS-1 deri në nivelin DS-3, të cilat financohen në formë granti sipas niveleve të tyre nga buxheti i shtetit. Programi i dytë është programi i ndërtimit të banesave individuale, i cili gjithashtu po financohet nga buxheti i shtetit për pothuajse 827 shtëpi për këtë vit dhe do të ketë një grup të dytë shtëpish vitin që vjen”, tha ai.

“Programi i tretë është programi i banesave shumëkatëshe, pra i pallateve, ose lagjeve të reja në Tiranë. Për të dy lagjet e reja, edhe për Kombinatin edhe për 5 majin, ku filluan punimet sot, programi gjithashtu financohet nga qeveria shqiptare”, u shpreh ai.

Ai shtoi se gjithashtu në këtë program përfshihet edhe programi i infrastrukturës së këtyre lagjeve. “Pra dhe për lagjen e 5 majit dhe për lagjen në Kombinat kemi të gjithë infrastrukturën mbështetëse”, tha Mazniku.

“Programi i katërt është programi i infrastrukturës publike apo institucioneve publike që janë kryesisht shkolla apo konvikte, të cilat gjithashtu financohen nga buxheti i shtetit”, theksoi Mazniku.

I pyetur se sa është numri i personave të punësuar nga programi i Rindërtimit, Mazniku tha se, “vlerësimi i deritanishëm, të paktën vetëm në bashkinë e Tiranës,  ne flasim për mbi 15 mijë të punësuar vetëm në këtë sektor. Ky është një vlerësim paraprak. Por do të kemi një vlerësim më të saktë në momentin që kantieret do jenë të hapura dhe do të kemi mundësi të kuptojmë qartësisht numrin e të punësuarve në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe në mënyrë të tërthortë”, tha Mazniku.

Në lidhje me punën në institucionet arsimore, Mazniku tha se, “institucionet arsimore janë prioritare dhe ka filluar tashmë puna”.

“Mund të kishim bërë një ushtrim të thjeshtë, dhe të kishim ndërtuar shkollat siç ishin, me nxitim dhe pa një projekt të mirëfilltë. Por ne zgjidhëm, së bashku me qeverinë, që ta përdorim këtë jo vetëm për të ndërtuar kuturu, por për të pasur mundësi që të projektojmë shkollat e reja sipas standardeve më të mira moderne dhe sipas nevojave që komuniteti ka”, u shpreh ai.

I pyetur për akuzat e opozitës për ritmin e punimeve, Mazniku tha se, “së pari është shumë e turpshme që dhe në fakt është për të ardhur keq. Ne kemi një opozitë, e cila gjatë një periudhe tashmë 8-vjeçare nuk ka ditur asnjëherë të ketë mundësi të thotë një gjë të arsyeshme për mënyrën sesi bëhen gjërat. Dhe ta ketë provuar me fakte. Kryetari i opozitës ekzistuese ka qenë për 4 vjet kryetar bashkie dhe nuk pati mundësi të bëjë një shkollë të vetme. Në 4 vjet kryetar bashkie nuk pati mundësi të tregojë që mund të bëjë një punë të vetme që dikush të mund të çohet dhe të thotë shiko këtë punë në Tiranë e bëri Lulzim Basha gjatë kohës që ishte kryetar bashkie”, tha Mazniku. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.