Konviktet/ Drejtoria e QS dhe Rezidencat 1 dhe 2 njoftojnë studentët: Pagesat e nëntorit mbarten në dhjetor

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Asnjë student nuk duhet të shqetësohet për vendet e rezervuara në godinat e konvikteve në Tiranë, pas vendimit për zhvillimin e mësimit online gjatë muajit nëntor, për shkak të masave të reja për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Drejtoria e Qytetit Studenti, Rezidenca Studentore Universitare 1 dhe Rezidenca Studentore Universitare 2, përmes një njoftimi zyrtar, qetësojnë çdo student që ka kryer rezervimin për qëndrimin gjatë vitit akademik 2020-2021 në Qytetin Studenti dhe konviktet e Inxhinierisë dhe Mjekësisë, se me rihapjen e konvikteve të gjithë studentët e regjistruar do të vijojnë frekuentimin në konvikte sipas kontratave të nënshkruara.

“Duke marrë shkas nga vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve për zhvillimin e mësimit në universite online gjatë muajit nëntor dhe mbylljen e konvikteve, ju njoftojmë se: Të gjitha regjistrimet aktuale në konviktet e Qytetit Studenti, për sezonin arsimor 2020 – 2021, do të jenë të vlefshme. Ky vendim nuk prek regjistrimet dhe si i tillë, asnjë prej tyre nuk do të anulohet. Me rihapjen e konvikteve, të gjithë studentët aktualë do të vijojnë frekuentimin në konvikte sipas kontratave të nënshkruara”, thuhet në njoftimin publik.

Po ashtu, është vendosur që çdo pagesë e kryer për muajin nëntor, kur do të nisë edhe viti i ri akademik, do të mbartet për muajin dhjetor.

“Pagesa e tarifës për muajin nëntor, për ata studentë që nuk do ta marrin shërbimin, do të jetë e mbartur për muajin dhjetor,” thekson deklarata./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.