Komisioneri Publik ankimon në KPA vendimin e KPK për prokuroren Enkeleda Osmani (Xhengo)

TIRANË 30 tetor/ATSH – I. Vata/ Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit Enkeleda Osmani (Xhengo), me funksion prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Durrës.

Në njoftimin e bërë publik nga Komisioneri Publik bëhet e e ditur se, “pasi u shqyrtua vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, u vlerësua se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë, pasi, referuar gjendjes së fakteve dhe provave, vendimi është i cenueshëm në tërësinë e tij”.

Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që të rihap hetimin gjyqësor dhe, në përfundim të shqyrtimit të çështjes, në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Enkeleda Osmani (Xhengo).

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.