Hapet kantieri për një nga lagjet e reja të Tiranës, e projektuar nga Stefano Boeri/ Qendër e re policentrike për 11 mijë banorë

TIRANË, 30 tetor/ATSH-Maela Marini/ Në hapje të kantierit të parë për një nga lagjet e reja të Tiranës, Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “kjo lagje e projektuar nga arkitekti i famshëm italian Stefano Boeri, e cila do të ndërtohet nga themelet për 11 mijë banorë, do të kthehet në një qendër të re policentrike të Tiranës”.
Sipas Kryeministrit Rama “lagjja e re do të ketë një qasje të re të zhvillimit urban, ekonomik e social, me infrastrukturë moderne dhe akses të garantuar në shërbime cilësore publike e private, nga shkollat e kopshtet tek njësitë tregtare, me parqe e mjedise sportive, si edhe institucione shtetërore”.
“Sot procesi i rindërtimit hyn në një fazë të re me çeljen e kantierit të parë të madh të kryeqytetit, i pari ndër disa kantiere të mëdha që nuk janë thjesht një përgjigje për nevojën e familjeve të cilat humbën strehën e tyre në natën tragjike të 26 nëntorit të shkuar, por janë një reagim ndaj një krize të shkaktuar nga natyra në funksion të të ardhmes”, tha Rama.
Sipas tij, “ka dy mënyra gjithmonë për ta përballur një krizë: njëra mënyrë është për ta përballuar si një shfaqje të momentit dhe për të kuruar plagën momentalisht dhe mënyra tjetër është për ta përballuar si një mundësi të re për t’u ngritur më lart se sa përpara kriza të shfaqej”.
“Unë gjithmonë kam besuar dhe besoj se çdo krizë është një mundësi e madhe dhe nëse populli thotë ‘të këqijat nuk vijnë vetëm për keq’, atëherë kjo ishte një e keqe shumë e  madhe në radhë të parë për ato familje që humbën tragjikisht të afërmit e tyre, pastaj për mijëra familje të tjera që humbën strehën. Por e mira në këtë të keqe është që së bashku ne po ngrihemi më lart sesa ishim përpara se të ndodhte kjo tragjedi”, shtoi Rama.
Sipas tij, “Tirana, Durrësi dhe të gjithë zonat e tjera e me radhë që u goditën, pas rindërtimit do të jenë vende më të mira se sa ishin për njerëzit para se të ndodhte tragjedia”.
“Kjo zonë këtu mbase do të ishte prekur për t’u ngritur më lart pas 10, 20, apo 30 vitesh apo dhe më shumë kur të krijoheshin mundësitë, ndërkohë që ne e prekim këtë zonë sot me ambicien që mbi këto rrënoja apo ngrehina kaotike të shumë dekadave të mbledhura së bashku, të ndërtojmë në pak vite një qendër të re të Tiranës, një adresë të re për Tiranën që duam për gjeneratat e tjera dhe një hapësirë cilësisht të re për plot 11 mijë banorë”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se “11 mijë banorë të vjetër e të rinj që do të jetojnë në këtë zonë jo si në një periferi të largët dhe me shumë mungesa të një kryeqyteti që zhvillohet, por do të jetojnë në një zonë ku do të jetë kënaqësi të jetosh”.
“Vlera e pasurisë së patundshme do të jetë shumëfish më e lartë se sot këtu. Nëse dikush ka humbur një shtëpi, një apartament në Tiranë me vlerë X dhe do të hyjë së shpejti në apartamentet e lagjeve të reja, do të disponojë jo vetëm një shtëpi më të fortë, më të bukur, më të mirë, por edhe një vlerë më të madhe pasurore”, tha ai.
Kryeministri theksoi se “në 26 nëntorin e shkuar ne u gjendëm përballë një sfide të jashtëzakonshme me mbi 15 mijë familje që brenda pak sekondash u gjendën pa shtëpi”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.