FOKUS – Turqia&Greqia: Së bashku për përballimin e pasojave të tërmetit

STAMBOLL, 30 tetor /ATSH-AFP-AA/ – Turqia dhe Greqia u angazhuan sot, pavarësisht tensioneve mes tyre, për të ndihmuar njëra-tjetrën, nëse do të ishte e nevojshme, pasi u tronditën të dyja nga një tërmet i fuqishëm, njoftoi Ankaraja.

 

”Gjatë një bisede telefonike, ministrat respektivë të Punëve të Jashtme të dy vendeve, Mevlut Cavusoglu dhe Nikos Dendias nënvizuan se ishin të gatshëm, në rast nevoje, të ndihmonin dhe të mbështesnin njëri-tjetrin”, theksoi ministria turke në një komunikatë.

Një tërmet me magnitudë 6,6 ballë të shkallës Rihter goditi brigjet e rajonit Seferihisar në qytetin Izmir të Turqisë.

Sipas informacionit në faqen e internetit të Kryesisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), theksohet se tërmeti u regjistrua në orën 14:51 me kohën lokale, me magnitudë 6,6 ballë Rihter në detin Egje, 17 kilometra nga brigjet e rajonit Seferihisar në qytetin e Izmirit.

Epiqendra e tij ishte me një thellësi 16,54 kilometra.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, duke folur në lidhje me tërmetin tha se “deri më tani në Bornova dhe Bayrakli të Izmirit janë rrënuar gjashtë ndërtesa”.

“Përveç çarjeve të vogla në ndërtesa në qytetet Ushak, Denizli, Manisa, Balikesir, Aydın dhe Mugla, nuk është raportuar për viktima”, njoftoi ai nga rrjeti social Twitter./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.