Festa e Ullirit në Roskovec/ Klosi: Pikat agroturistike kanë prodhuar ekonomi

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ishte i pranishëm në festën e Ullirit në Roskovec, festë lokale e cila shërben jo vetëm për të promovuar ullirin dhe nënproduktet e tij, por dhe agroturizmin në tërësi, duke e kthyer këtë vend në një destinacion turistik.

“Ky investim që është bërë këtu në këtë zonë kaq të bukur turistike të Roskovecit dhe gjithë qarkut të Fierit realisht ia ka vlejtur. Ia ka vlejtur për të krijuar një destinacion të ri turistik për të krijuar një pamje të mrekullueshme”, – tha ministri Klosi.

Sipas tij, ky aktivitet është mirë që të kthehet në traditë, sikundër dhe gjithë festat lokale, pasi këto festa dhe këto produkte afrojnë turistët, duke i kthyer vendet në destinacione turistike.

“Politikat e Ministrisë së Turizmit dhe qeverisë shqiptare për agroturizmin kanë krijuar tashmë në gjithë Shqipërinë një rrjet shumë të madh pikash agroturistike që ka prodhuar ekonomi, ka prodhuar simbole të vërteta kulinarie. Këtu në zonën e Roskovecit ne e kemi shumë të nevojshme të krijojmë pika agroturistike të cilat ofrojnë më shumë për qytetarët. Të vijnë turistët t’i vizitojnë, jo vetëm nga qarku i Fierit dhe nga qarku i Beratit që janë kaq afër, por nga e gjithë Shqipëria”, – nënvizoi ministri Klosi.

Ministri Klosi falënderoi kryetaren e bashkisë së Roskovecit, e cila është dhe kryetare e Shoqatës së Bashkive, që do të ndihmojë në krijimin e rrjetit të agroturizmit dhe rrjetit të promovimit të produkteve të ndryshme.

“Urime të gjithë familjarëve që kanë punuar kaq shumë për këtë produkt dhe ky produkt do të mbrohet në mënyrë specifike nga qeveria dhe nga Bashkia po ashtu”, tha ministri Klosi./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.