Denaj apel pushtetit vendor: Paguani detyrimet e prapambetura

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj i kërkoi sot drejtuesve të pushtetit vendor pagesën e detyrimeve të prapambetura, shmangien e krijimit të detyrimeve të reja, dhe qasje të kujdesshme drejt politikave vendore fiskale.

Kërkesat e ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u bënë gjatë takimit konsultues të zhvilluar me qeverinë vendore për buxhetin e vitit 2021.

“Dëshiroj të risjell në vëmendjen tuaj qëndrimin tonë sa i takon pagimit të detyrimeve të prapambetura dhe shmangies së krijimit të detyrimeve të reja, apo qasjes së kujdesshme drejt politikave vendore fiskale. Këto të fundit duhet të jenë mbi të gjitha në mbështetje të sipërmarrjes shqiptare dhe investitorëve të huaj. Duhet të angazhohemi bashkërisht për një përmirësim të menaxhimit financiar të njësive vendore”, tha ministrja Denaj.

Denaj njëkohësisht kërkoi angazhim serioz nga bashkitë, për implementimin e metodologjisë së re të taksimit të pronës.

“Ne jemi të qartë në këtë pikë, qeveria qendrore ka bërë një investim të rëndësishëm në këtë drejtim. Mbetet e papranueshme që ecuria e taksës së pronës dhe të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat të jenë në rënie. Qëllimi është të përmirësojmë këtë sistem nga i cili mund të përfitoni më shumë të ardhura dhe të ofroni shërbime të përmirësuara për qytetarët”, tha ajo.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Denaj vuri në dukje se pesha e buxhetit vendor është rritur në 3.3% të PBB-së në vitin 2021, nga 2.1% e PBB-së që ishte në vitin 2013.

“Pavarësisht rënies ekonomike të këtij viti dhe ritmit të ulët parashikuar për vitin tjetër, financimi nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor, jo vetëm që nuk ka pësuar ulje, por përkundrazi është rritur”, theksoi ajo.

Me qëllim ruajtjen e stabilitetit të shpenzimeve vendore dhe për mbështetjen për përballimin e shpenzimeve të COVID-19, tha ministrja Denaj, niveli i transfertës së pakushtëzuar për vitin 2021 do të jetë me një rritje të lehtë krahasuar me atë të vitit 2020.

“Kjo transfertë është rreth 52% më e lartë se ajo e vitit 2013 dhe rreth 50% më e lartë se e vitit 2015, si viti bazë para reformës administrativo-territoriale. Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore në vitin 2021 do të jenë 25.4 miliardë lekë ose 10% më të larta se sa i pritshmi i vitit 2020 dhe pothuajse mbi dy herë më të larta se ato të viteve 2013 dhe 2015”, u shpreh ministrja. /a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.