COVID-19/ KPK zhvendos punën online: Përjashtim do të bëjë vetëm zyra e arkivës

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë vendim që duke filluar nga dita e sotme të zhvendosë punën online për të parandaluar përhapjen e infeksionit nga COVID-19.

Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare, KPK thekson se përjashtim do të bëjë vetëm zyra e arkivës.

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) njofton se duke filluar nga data 30.10.2020 deri në datën 6.11.2020, do të kufizojë kryerjen e veprimtarisë dhe vijimin e punës vetëm në distancë (online) nga të gjitha strukturat e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me përjashtim të zyrës së arkivë-prokotokollit. Dëshirojmë të informojmë opinionin publik se gjatë kësaj periudhe veprimtaria e KPK do të vijojë pa ndërprerje, përmes platformave zyrtare online, në mënyrë që të parandalohet përhapja e mëtejshme e infeksionit si dhe të sigurohet shëndeti i punonjësve”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit informon se denoncimet nga qytetarët do të vijojnë të pranohen online përmes postës zyrtare elektronike. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.